Parlamenti Europian voton pasditen e kësaj të marte kandidaturën e Ursula Von der Leyen për presidente të Komisioni Europian.

Ministrja e Mbrojtjes në kabinetin e Angela Merkelit, prezantoi përpara eurodeputetëve politikat që do të ndjekë në krye të Komisionit, duke prekur disa nga pikat e dobëta me të cilat po përballet sot Blloku.

“Për mua vetëm një gjë ka rëndësi, që Europa të forcohet. Kush do ta bëjë të lulëzojë do të më ketë në krah, por kush tenton ta dobësojë do të gjejë te unë një armike të ashpër”.

Duke ditur fort mirë që ka kundër forcat populiste, Von der Leyen premtoi një revolucion të vërtetë të traktatit të Dublinit, për të mos ua lënë barrën vendeve të para të mbërritjes së emigrantëve.

“Mesdheu është kthyer në kufirin më vdekjeprurës në botë. Në det kemi detyrimin të shpëtojmë jetë. BE ka nevojë për kufij njerëzor. Por duhet të luftojmë edhe emigracionin e paligjshëm. Do të propozoj një ujdi të re për emigracionin dhe të drejtën e azilit, duke përfshirë edhe një riformatim të Traktatit të Dublinit”.

Megjithatë eurodeputetët e Alternativës për Gjermaninë, pjesë e grupimit të ekstremit të djathtë, e bënë publike votën kundër kandidates 61-vjeçare, të cilën e shohin si të papërshtatshme për drejtimin e KE-së. Von der Leyen la të hapur gjithashtu mundësinë për një shtyrje tjetër të Brexit, nëse do të duhej më shumë kohë.

Për t’u zgjedhur presidente e Komisionit Europian, Von der Leyen do t’i duhet shumica prej 374 eurodeputetëve, një mision që sipas analistëve duket i vështirë.

Tv Klan