Vizita e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen u shoqërua me mesazhe pozitive për procesin e integrimit europian. Ashtu si kancelarja gjermane dhe ajo vlerësoi ecurinë e reformave, madje jep një afat të ri për mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare.

Unë jam e vendosur që kjo gjë të bëhet realitet dhe ne të kemi konferencën e parë ndërqeveritare. Po punojmë për këtë gjë dhe dua që në të fillojmë para fundit të vitit.’’

Por Kryeministri Rama në krah të saj u shfaq indiferent për këtë premtim dhe ripërserit që kjo zvarritje e procesit të negociatave ka ardhur jo për shkak të Shqiperisë. Konferenca në zoom siç e quajti ai nuk do të ndryshojë asgjë për perspektivën europiane te vendit.

‘’Nuk jam i zhgënjyer. Thjesht të ndodhë kur të ndodhë. Ne jemi të dashuruar me BE. Kur të ndodhë do përqafohemi.’’

Ursula von der Leyen vlerëson dhe rolin që vetë Rama ka luajtur në rajon, por e pyetur ajo nuk pozicionohet qartë nëse e mbështet ose jo nismën e ‘’Open Ballkan’’. Sipas saj çdo bashkëpunim që vjen në kuader të procesit të Berlinit është e mirëpritur.

‘’Keni punuar për çështjen e bashkëpunimit dhe keni pasur arritje. Rritja e tensioneve Kosovë-Serbi është shqetësuese dhe është thelbësore të ulet tensioni dhe të rikthehen në dialog. Edhe BE u ndërtua në bazën e dialogut dhe më pas në bazës e zhvillimit ekonomik. Mendoj se procesi i Berlinit po e shtyn procesin e integrimit para.Çdo iniciativë që është brenda procesit të Berlinit dhe që sjell bashkëpunimin, mirëpritet prej nesh. Ne nuk duhet të shohim me imtësi fjalët, por kontekstin që propozohet. Të jetë një proces i hapur dhe gjithëpërfshirës, që thellon edhe marrëdhëniet mes vendeve që të ketë një integrim të thellë të ekonomive.

Vetë Rama do të thotë dhe arsyet e ngurimit të ndërkombëtarëve për ta mbështetur nismën e inicuar prej tij ‘’Open Ballkan’’, dhe shpjegon me fjalë të thjeshta çdo të thotë për rajonin ajo.

“Open Ballkan’’ shqip është ta nxjerrësh gomarin vetë nga balta. “Open Ballkan” është nëndegë e Berlinit, se nuk ka kohë komisionerja të shohë si po ecën procesi, ndaj duhet ta shtyjmë ne”.

Von der Leyen ishte në Tiranë si pjesë e një turi ballkanik që e nisi pikërisht nga vendi ynë e ku pjesë e axhendës, veç takimit me Kryeministrin dhe Presidentit ishte inagurimi i një kompleksi arsimor në zonën Qerekës, në Rinas të financuar nga BE, si pjesë e projektit të rindërtimit.

Tv Klan