Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Presidentes së  Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen heqjen e masave ndaj Kosovës. E kjo fundit i kërkoi Osmanit themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Presidentja e  Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen i ka bërë thirrje Kosovës që të nisë procedurat për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë njohjen de facto të Kosovës.

Këtë porosi Von Der leyen e dha bëri pas takimit me Presidenten Vjosa Osmani.

“Ne kemi një plan të ri të investimeve dhe ky plan është duke funksionuar shumë mirë. Nëse funksionon që shtetet anëtare të BE-së do të funksionojë edhe te vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky plan ka mundësinë që brenda një dekade të dyfishojë të ardhurat tuaja. Të gjitha këto suksese arrihen vetëm nëse Kosova dhe Serbia normalizojnë marrëdhëniet e tyre. Kosova duhet të pranojë draftin për Asociacionin, kurse Serbia duhet të pranojë një njohje de facto dhe dialogu i BE-së është i angazhuar në bisedime. Kjo është mënyra e vetme për të shkuar para”.

Presidentja Vjosa Osmani tha se në takimin e fundit në Bruksel Kosova ka ofruar nënshkrimin e marrëveshjeve ku përfshihet edhe draft-statuti për asociacionin.

Von der Leyen takoi dhe Kryeministrin Albin Kurti. Ajo ka nisur një tur vizitash në Ballkan. Në Shkup, presidentja e Komisionit Europian, tha se Bashkimi Evropian planifikon të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor që të ndjekin reformat e nevojshme për integrimin me Unionin me një plan investimi prej 6 miliardë eurosh. Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina duhet të shfrytëzojnë sipas saj, “dritaren e mundësive” për zgjerimin e BE-së.

Tv Klan