Ursula Von Der Layen është drejtuesja e re e Komisionit Europian. Politikania gjermane siguroi një mbështetje me një shumicë tepër të ngushtë, 383 vota pro saj, 9 më shumë se limiti i nevojshëm. Ajo ka hyrë në historinë e unionit si e para grua në krye të Komisionit Europian.

Megjithatë analistët thonë se shumë prej eurodeputetëve që votuan pro, mbështetën Von der Leyenin për të shmangur një krizë institucionale. Shumë prej tyre i quajtën prioritetet e saj për 5 vitet e ardhshme si jo-konkrete, jo-të bindshme dhe jo-ambicioze. Mes premtimeve që shpalosi para votimit ishte edhe ai që e konsideroi edhe si revolucion të vërtetë në traktatin e Dublinit, për të mos ua lënë barrën vendeve të para të mbërritjes së emigrantëve.

“Mesdheu është kthyer në kufirin më vdekjeprurës në botë. Do të propozoj një ujdi të re për emigracionin dhe të drejtën e azilit, duke përfshirë edhe një riformatim të Traktatit të Dublinit.”

Në një përgjigje të mëhershme ndaj interesimit të grupimit social-demokrat për prioritetet e presidencës së saj, 61-vjeçarja që vjen nga radhët e unionit kristiandemokrat gjerman, renditi edhe zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. Në përmbajtjen e letrës, publikuar nga revista gjermane Der Spiegel, ajo shprehet në favor të hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Jam në favor të hapjes së negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat aktualisht janë bllokuar nga disa vende anëtare të unionit.”

Vendimi për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pritet të merret në mbledhjen e Këshillit të Bashkimit Europian në Tetor.

Tv Klan