Bashkia e Durrësit bën përgjegjëse procedurat bankare

Dy muaj nga tërmeti i 26 Nëntorit, shumë qytetarë të Durrësit, banesat e të cilëve u dëmtuan, nuk kanë marrë bonusin e qirasë. Disa prej tyre thonë se janë nxjerrë nga hotelet ku qëndronin, pasi rezultojnë në listën e emrave të dërguar nga bashkia si përfitues, por ende nuk kanë kaluar paratë në bankë.

“ Më nxorrën pa të drejtë nga hoteli se thonë ka marrë bonusin, më kanë sorrollat. As më lenë me u fut te bashkia me marr sqarime. S’kam marrë bonus, thonë i ke në bankë. Ku i kam në bankë, ja 0 lekë këtu. Kjo është padrejtësi. Po mos të më kishte ndihmuar shoku, ku do shkoja, te shtëpia është çarë tavani”.

“Bashkia thotë që dokumentet e bonusit të qirasë janë në rregull, vetëm ka ngel fondi. Por fondin unë se di tani kush e ka, a e kemi unë e ti apo e ka bashkia. Në datë 23 kam lënë hotelin. Më thanë rri derisa të dali bonusi. Unë jam vetë i 6 me gjithë kalamajt bashkë me prindërit 8. Këtu na thonë të miratohet fondi, po unë tani me prit rrugëve të miratohet fondi. Ku do fle, ku do ha unë”.

Për këtë shqetësim, Bashkia bën përgjegjëse procedurat bankare.

“Kemi shumë familje që kalojnë për likujdim. Kalojnë për financim brenda ditës 200-300 familje. Që do të thotë bankat kanë procedurat e tyre, kanë kohën e tyre për përpunimin e materialeve dhe informacionit. Detyra jonë është që procedura të shkojë deri në thesar më tej pastaj, sigurisht që ai është institucion tjetër do ketë edhe kohën e vetë”, thotë Emiriana Sako, drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimeve Publike.

Qytetarët ngrenë si shqetësim edhe procedurat e kërkuara nga bashkia.

“Kemi prurë letrat ka 2 muaj te Bashkia tani kanë nxjerrë një katrahurë tjetër, duan fotografi shtëpie. Kur e ka thënë turku që është dëmtuar”.

“Tani këtu nuk na japin asnjë përgjigje. Për dokumentet më është dashur një muaj rresht për të plotësuar dosjen. Një person tjetër atje te informacioni më thotë që duhet të sjellësh përsëri që ta përshpejtojmë procedurën, është bërë një kaos i vërtetë”.

Në Bashki kanë aplikuar 3863 prej të cilëve nga 6 Janari deri sot kanë përfituar 2496, ndërsa vijon puna për miratimin e aplikantëve të tjerë. Aktualisht në hotelet e Durrësit qëndrojnë 590 persona nga 3 mijë që u strehuan në Dhjetor të vitit të kaluar.