Meta hesht. Pritet kërkesa nga KQZ

Edhe Bashkia e Vorës pritet të ketë fatin asaj të Shkodrës, pas ndërprerjes së mandatit të Kryebashkiakut Agim Kajmaku, i cili prekej nga Ligji i Dekriminalizimit.

Presidenti ka deklaruar se nuk i njeh zgjedhjet e 30 Qershorit dhe kryebashkiakët e dalë prej tyre. Dhe ashtu si në rastin e Shkodrës, ai mund të mos dekretojë as zgjedhjet e pjesshme në Vorë.

I pyetur nga Televizioni Klan për këtë çështje, kreu i shtetit nuk pranoi të bëjë komente.

Pas vendimit te së premtes me votim unanim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhet të njoftojë zyrtarisht Kryeministrin për krijimin e vakancës në Bashkinë e Vorës. Deri tani, KQZ nuk e ka dërguar shkresën zrytare.

Sipas Kodit Zgjedhor është kreu i qeverisë që i kërkon kreut të shtetit të shpallë zgjedhjet e pjesshme dhe që brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit, presidenti të nxjerrë një dekret ku shpallet data e zgjedhjeve.

Zgjedhje të cilat duhet të zhvillohen jo më herët se 30 ditë, më vonë se 45 ditë nga nxjerrja e dekretit. Për Shkodrën, kreu i shtetit u njoftua nga Prefekti i rrethit për vakancën dhe nuk nxori asnjë dekret.

Bashkia e Shkodrës vijon të drejtohet nga Voltana Ademi, e zgjedhur 4 vjet më parë, ndërsa ajo e Vorës do të drejtohet gjatë kësaj kohe nga një prej nënkryetarëve.

Tv Klan