Mbi 30 mijë turistë gjatë një viti

Fundjavat e gjejnë Voskopojën të tejmbushur me vizitorë. Rrugicat e kalldrëmta gjallërohen nga grupe turistësh të ardhur nga zona të ndryshme të vendit,që bëhen kuriozë ta eksplorojnë fshatin skaj më skaj.

Edhe pse bora këtë Janar ka qenë e kursyer dhe temperaturat më të larta se zakonisht,Voskopojës nuk i mungojnë admiruesit e klimës alpine dhe gjelbërimit të përhershëm.

Ata që e vizitojnë për herë të parë, kanë sidomos interes të njohin qytetërimin shekullor të zonës, që shpërfaqet nga objektet e kultit bizantin deri tek arkitektura dhe tipologjia e ndërtimeve.

Një pjesë e mirë e vizitorëve, vijnë të shijojnë gatimet e veçanta të zonës.

Vendasit po investohen fort në turizëm, duke e kthyer fshatin, në destinacion elitar dhe të shumëkërkuar. Kapacitetet akomoduese janë rritur ndjeshëm, ndërsa mjaft shtëpi janë kthyer në bujtina. Voskopoja vizitohet çdo vit nga më tepër se 30 mijë turistë.

Tv Klan