Ministri i Drejtësisë: Përfitojnë vetëm 3-ish policë në Kukës
Teksa në Parlament, amnistia penale vijon të zvarritet, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja u shfaq krah një rasti të sukseshëm se si një i dënuar, ka arritur t’i kthehet jetës normale, duke përmbushur sipas Manjës edhe një nga qëllimet kryesore që ka amnistia penale.
“Iliri është i martuar ka 7 fëmijë. Ka qenë i dënuar me shërbim prove dhe pasi ka shlyer dënimin plotësisht është punësuar në shërbimin e provës në Drejtorinë e Përgjithshme si mirëmbajtës. I është kthyer normalitetit. Amnistia penale një nga parimet e saj ka rehabilitimi dhe riintegrimi në shoqëri.”
Në kushtet kur opozita refuzon të japë votën, ministri shpreh gatishmërinë të ulet me ta në mënyrë që kjo amnisti të kalojë në Kuvend.
“Askush nga ne nuk ka qëllim që të amnistojë asnjë person të dënuar nga GJKKO. Nga ky amendament nëse do të miratohet përfitojnë nga një muaj dhe tre muaj, tre ish-policë të dënuar nga GJKKO në Kukës.”
Hodhi poshtë për të disatën herë pretendimet se nga kjo amnisti përfitojnë zyrtarët e dënuar apo që po hetohen nga GJKKO.
“Po patjetër të ulemi sepse ne në variantin fillestar nuk e kishim këtë amendament, por nëse qenka hataja për opozitën pse do të përfitojnë një vit ulje dënimi 3 ish-punonjës policie të dënuar për shpërdorim detyre në Kukës tërhiqemi ne, nuk është problem.”
Amnsitia Penale vijon të kthehet në Kuvend prej më shumë se 2 muajsh, për shkak të mungesës së 84 votave, ndërsa së fundmi familjarë të të burgosurve në Durës që përfitojnë nga amnistia kanë nënshkruar një peticion për të kërkuar miratimin e paketës.
Klan News