Abazoviç: Më ofruan 21 milionë euro për të mos e rrëzuar Gjukanoviçin

Parlamenti i Malit të Zi votëbesoi këtë të premte qeverinë e re të kryesuar nga Zdravko Krivokapiç. 41 deputetë votuan pro, 28 ishin kundër, ndërsa 1 abstenoi. Në qeverinë e re, politikani shqiptar Dritan Abazoviç do të mbajë postin e Zv/Kryeministrit.

Në një intervistë për mediat vendase ai konfirmoi se iu ofruan 21 milionë euro për të mos e rrëzuar nga pushteti Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. Politikani shqiptar tha se paratë i ishin ofruar nga disa persona, por nuk pranoi të jepte detaje për këtë çështje.

“Informacioni se më janë ofruar 21 milionë euro për të mos rrëzuar nga pushteti Gjukanoviçin është i saktë. Kemi presion të madh pasi morëm një numër të madh votash në zgjedhje, por nuk është se ndihem i pasigurtë”.

Abazoviç pohoi se ka marrë edhe kërcënime me jetë përmes rrjeteve sociale. Qeveria e re, sipas tij do të përqendrohet tek axhenda për integrimin europian, zbatimin e programit ekologjik dhe lufta kundër korrupsionit.

Politikani shqiptar shprehu keqardhjen që në qeverinë e re nuk përfaqësohen minoritetet, ndërsa pranoi se i përket një komuniteti që jeton në varfëri për fajin e qeverisjes së kaluar.

Tv Klan