Çdo shqiptar që jeton jashtë dhe do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të pranverës do të duhet të regjistrohet në Platformën Elektronike të Regjistrimit të paktën 68 ditë përpara datës së votimeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publike rregulloren për të gjithë procesin që do të ndiqet që nga ngritja e kësaj platforme dhe deri tek krijimi dhe afishimi i listës së zgjedhësve nga jashtë e veçuar nga lista e votueseve që jetojnë brenda territorit të republikës.

Afati për paraqitjen e kërkesës fillon 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 68 ditë para kësaj date. Kërkesa kryhet përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit, e cila është e aksesueshme pa pagesë për zgjedhësin. 

Zgjedhësit do duhet ta shkarkojnë dhe të krijojnë një llogari të tyren, llogari që kërkon autentifikim biometrik me njohje të fytyrës, një kod unik i përkohshëm 6 shifror që i dërgohet zgjedhësit në numrin e tij të telefonit mobil dhe email, si dhe Numri Personal i Identifikimi.

Ndërkohë dokumentet që do duhet të ngarkojë për t’u regjistruar janë certifikatë pronësie, vërtetim banimi, kontratë qiraje apo çdolloj dokument të lëshuar nga organi kompetent i shtetit ku ka vendbanimin, i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësit në një strukturë të caktuar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me vendim të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve përmes Platformës, vendos mbi kërkesën për regjistrim të zgjedhësit brenda 5 ditëve kalendarike nga marrja e saj dhe Vendimi nëse do të përfshihet ose jo në listën paraprake të zgjedhësve i njoftohet po në Platformë.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, 63 ditë përpara datës së zgjedhjeve, publikon listën paraprake me qëllim që zgjedhësit brenda 48 orësh të kërkojnë regjistrimin apo rregullimin e pasaktësive dhe tre ditë më vonë  ose 60 ditë para datës së zgjedhjeve, miraton dhe publikon në faqen zyrtare të internetit të KQZ listën përfundimtare të zgjedhësve që votojnë jashtë vendit, e cila pas këtij momentin nuk ndryshon.

Sipas Kodit të ri Zgjedhor vota e votueseve nga jashtë llogaritet në qarkun ku ai ka jetuar përpara se të largohej nga vendi.

Tv Klan