Tetë deputetët e opozitës të cilët votuan pro ndryshimeve kushtetuese janë nën mbrojtje 24 orëshe, ngase vazhdimisht marrin kërcënime përmes shkrimeve në rrjetet sociale. Ministri i Brendshëm i Maqedonisë Oliver Spasovski ka theksuar se ka dyshime për strukturë të organizuar që qëndron pas kërcënimeve.

“Bëhet fjalë për një grup të caktuar e afërt me iniciativën “Bojkotoj”, që kërcënon me jetë deputetët, familjet e tyre etj. Derisa ekzistojnë kërcënime të këtilla ata do të sigurohen”.

Zhvillimet e fundit në gjirin e VMRO-DPMNE-së pritet të jenë në qendër të vëmendjes së mbledhjes së Komitetit të saj Qendror të thirrur për në orën 19:00. ‘Ikja’ e tetë deputetëve dhe vota ‘për’ fillimin e ndryshimeve kushtetuese duket se ka acaruar tejmase fërkimet në udhëheqjen e partisë më të madhe opozitare në vend.

Sipas medias në Shkup, ka mospajtime me mënyrën si u veprua. Sidoqoftë pritet që debati kryesor të përqëndrohet tek ish-shefi i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, që është kushëri i ish-Kryeministrit dhe ish-kreut të VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski.

Tv Klan