Presidenti Hashim Thaçi përgëzoi deputetët e Kuvendit të Kosovës për votimin e qeverisë së re. Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i shtetit kosovar i uroi suksese qeverisë që do të udhëhiqet nga Avdullah Hoti, i LDK-së dhe ofroi bashkëpunimin e tij për “jetësimin e axhendës kombëtare dhe ndërkombëtare”.

“I përgëzoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për votimin e Qeverisë së re. Kjo është një ditë e rëndësishme për demokracinë tonë dhe për qytetarët e vendit. Qeverisë së re i uroj sukses në përmbushjen e programit qeverisës dhe i ofroj bashkëpunim të plotë në jetësimin e agjendës kombëtare dhe ndërkombëtare. Me bashkëpunim dhe koordinim ndërinstitucional mund ta rimëkëmbim ekonominë tonë dhe të lëvizim me hapa më të shpejtë drejt integrimit euroatlantik, duke e fuqizuar partneritetin me SHBA-në dhe me të gjitha shtetet mike”, shkruajti Thaçi.

Votimi i kësaj të mërkure u përshëndet edhe nga Ambasada Amerikane në Kosovë.

“Urime për formimin paqësor të qeverisë së re. Ne mezi presim që të punojmë me qeverinë Hoti për të vazhduar punën e rëndësishme për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin, përfshirë përpjekjet për forcimin e marrëdhënieve rajonale dhe luftimin e COVID-19”, thuhej në reagimin e Ambasadës së SHBA.

Me 61 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim, qeveria Hoti mori këtë të mërkurë miratimin e Kuvendit të Kosovës./tvklan.al