Kreu i Shtëpisë së Bardhë e cilësoi si gënjeshtra të pabaza, votimi nuk është një vendim për t’a shpallur fajtor

Dhoma e Përfaqësuesve me një votim 221 pro dhe 212 kundër i hapi rrugë procesit që do të përcaktojë nëse ka baza për të ngritur akuza për shkarkimin e presidentit amerikan, Joe Biden me dyshimet për korrupsion dhe marrje ryshfeti gjatë kohës së ushtrimit të detyres si Zëvendëspresident.

Në një deklaratë të rrallë, Biden vuri në pikëpyetje përparësitë e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve në hapjen e procesit për të përcaktuar nëse ka baza për ngritje akuzash ndaj presidentit dhe familjes së tij.

“Në vend që të bëjnë gjithçka për të ndihmuar në përmirësimin e jetës së amerikanëve, ata janë të përqëndruar të më sulmojnë me gënjeshtra. Në vend që të bëjnë detyrën e tyre për punën urgjente që duhet bërë, ata po zgjedhin të humbin kohë në këtë manovër politike pabaza që madje republikanët në Kongres e pranojë se nuk mbështetet nga faktet.”

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson dhe ekipi i tij udhëheqës janë përballur me trysni në rritje për të treguar përparim në një hetim gati njëvjeçar të përqendruar tek marrëdhëniet e biznesit të anëtarëve të familjes Biden.

Votimi për autorizimin e hapjes së procesit nënkupton që hetimi do të vazhdojë gjatë vitit zgjedhor 2024, ndërsa Biden ka gjasa të përballet me ish-Presidentin Donald Trump, ndaj të cilit u ngritën dy herë hetime gjatë kohës që shërbente në Shtëpinë e Bardhë.

Trump u ka kërkuar aleatëve të tij në Kongres që të veprojnë me shpejtësi për të hapur procesin për hetimin e Biden, si pjesë e thirrjeve të tij për hakmarrje ndaj armiqve të tij politikë. Në një deklaratë të fundit, Shtëpia e Bardhë e quajti të gjithë procesin një “ekspeditë hetimi të pabazë”.

Të gjithë demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve votuan kundër hapjes së procedurave. “E gjithë kjo është një taktikë politike ekstreme. Nuk ka kredibilitet, legjitimitet dhe integritet. Është një shfaqje e dorës së dytë”, tha gjatë debatit ligjvënësi Jim McGovern, demokrat nga shteti Masaçusets.

Disa republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve hezituan të shprehen pro votimit për procesin kundër Biden, nga frika e një kostoje politike. Por javët e fundit, udhëheqësit republikanë kanë deklaruar se votimi është vetëm një hap i procesit, jo një vendim për ta shpallur fajtor presidentin Biden.

Klan News