Denaj: Miratuam disa nisma për të ringritjen e biznesit

Kuvendi miratoi projektligjin që i hap rrugën heqjes së Tatimit mbi Fitimin të bizneseve me xhiro deri në 14 milionë lekë deri në 2029.

Ministrja e Financave, Anila Denaj, shpjegon se sa domethënëse është kjo nismë për të ringritur biznesin e vogël, i cili rezulton dhe ndër më të prekurit nga pandemia.

“Është një periudhë, e cila gjykohet si një periudhë për të mundësuar vetëpunësimin dhe që këto biznese të vogla, të goditura drejpërdrejt nga pandemia t’ia dalin jo vetëm në këto vite të vështira, por edhe përtej saj”.

Si një tjetër ndihmë ndaj biznesit, është vendosur gjithashtu që pragu i ri i TVSH-së të jetë 10 milionë lekë nga 2 që është aktualisht.

“Koncepti dhe llogjika për të rritur fashën vjen dhe si një nevojë dhe një rekomandim, por edhe si një fazë e dytë pas rritjes së formalizimit në këto biznese”.

Në seancën e kësaj të mërkure parlamenti miratoi aktin normativ që rishkon buxhetin për herë të 3 brenda këtij viti një hap që Ministrja Denaj thotë se merret për të amortizuar efektet negative të masave anti-covid.

“Parashikohet një recesion, i cili shkon në minus 4.3 % në termat realë, por në tre vitet e ardhshme ne kemi parashikuar një rritje mesatare për të tre vitet në 4.5%”.

Ndërkohë në mbledhjen e qeverisë këtë të mërkurë, është miratuar edhe një skemë për nxitjen e punësimit.

“Në marrëdhëniet e biznesit me punëmarrësin, shteti vendos një skemë nxitje për të kompensuar, në atë që është skema e informalitetit një subvencion për kontributet dhe atë që është punësimi një fond të caktuar prej 4 muajsh, për një periudhë të caktuar kohe”.

Shtatori i këtij viti ishte afati i fundit për fiskalizimit, por parlamenti votoi për shtyrjen me një vit, për zbatimin e kësaj nisme, me qëllimin për të krijuar lehtësira për biznesin gjatë pandemisë.

Tv Klan