Votohet në Kuvend qeveria e re e Maqedonisë së Veriut




Votohet në Kuvend qeveria e re e Maqedonisë së Veriut

15:53 17/01/2022

Kabineti “Kovaçevski” mori 62 vota pro

Me 62 vota “pro”, 46 “kundër” dhe asnjë të “përmbajtur” Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi qeverinë e Dimitar Kovaçevskit,  pas çka ky i fundit bëhet Kryeministër i Qeverisë së 11-të që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, në vitin 1991.

Dy ditë zgjati debati midis deputetëve. Opozita nuk e mbështeti përbërjen e re qeveritare, duke potencuar se nuk ka legjitimitet dhe vlerësuar se do t`i vazhdojë politikat e qeverisë së mëparshme të Zoran Zaevit. Opozita kërkon të organizohen zgjedhjet të shpejta të parakohshme parlamentare. Deputetët që mbështetën qeverinë, thanë se ajo ka legjitimitetin nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2020.

Qeveria e re përbëhet nga 21 anëtarë, 17 meshkuj dhe 4 femra dhe ka mandate deri në vitin 2024. Sllavica Gërkovska është emëruar zëvendëskryeministre e luftës kundër korrupsionit, Sllavjanka Petrovska do të udhëheqë me Ministrinë e Mbrojtjes, Jovana Trençevska vendoset në krye të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa Bisera Kostadinovska Stojçevska bëhet ministre e re e Kulturës.

Artan Grubi mbetet në pozicionin e zëvendëskryeministrit të Parë dhe ministër i Sistemit Politik, Bojan Mariçiç bëhet zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane, ndërsa Fatmir Bytyqi mbetet në pozicionin e zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike.

Në postet e deritanishme ministrore mbeten edhe Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme, Kreshnik Bekteshi i Ekonomisë, Fatmir Besimi ministër i Financave, Goran Milevski Ministër i Vetëqeverisjes Lokale, Bujar Osmani ministër i Jashtëm, Bllagoj Boçvarski ministër i Transportit dhe lidhjeve dhe Naser Nuredini, ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Ndryshim të resoreve ka bërë Jeton Shaqiri, i cili nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, kalon në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Ndërsa Ljupço Nikollovski nga posti i zëvendëskryministrit për luftë kundër korrupsionit kthehet në postin e mëparshëm, ministër i Bujqësisë.

Nikolla Tupançevski është ministër i ri i Drejtësisë, Bekim Sali është ministër i ri i Shëndetësisë dhe Adminirim Aliti i Shoqërisë Informatike dhe Administratë. Ministër pa resor për diasporën emërohet Xhemail Çupi.

Programi qeveritar në fokus ka ballafaqimin me pandeminë dhe krizën energjetike. Në dokument potencohet rritja ekonomike, sundimi i së drejtës, mbrojtja e mjedisit jetësor dhe ballafaqimi me dezinformatat.

Kovaçevski, i cili në Qeverinë Zaev 2, ishte zëvendësministër i Financave, u zgjodh kryetar i socialdemokratëve pas dorëheqjes së Zoran Zaevit nga posti i kreut të partisë dhe të Kryeministrit, vendim ky që erdhi pas rezultatit në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Shumica parlamentare ka 64 deputetë. Koalicioni i ri qeveritar përbëhet nga LSDM-ja dhe koalicioni, BDI-ja, PDSH-ja, ku më pas u kyç edhe Alternativa me gjithsej 64 deputetë. Rritja e shumicës parlamentare në 64 deputetë ndodhi me hyrjen e Alternativës, pasi paraprakisht BESA braktisi qeverinë e mëparshme.

Kryeministri i mëparshëm, Zoran Zaev, u largua nga funksioni pas katër vite e gjysmë. Ai formoi qeverinë pas zgjedhjeve të vitit 2016, por edhe pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në verën e vitit 2020.

Klan Maqedonia











Të ngjashme