Liderët thirrje për pjesëmarrje

Liderët thirrje për pjesëmarrje

10:30 06/10/2019

Osmani e Kurti: Presim festë pas votimeve

Liderët politikë të Kosovës ishin ndër të parët që votuan, duke u bënë thirrje qytetareve të marrin pjesë masivisht në zgjedhje. Presidenti Thaçi, Kryeministri në detyrë Haradinaj dhe kryeparlamentari Veseli e vunë theksin te një proces i lirë dhe i ndershëm. 

“Dëshiroj t’i uroj qytetarët e Kosovës për këtë ditë të rëndësishme. Dhe në të njëjtën kohë t’i ftoj që të dalin të votojnë për të drejtën e tyre. Do jetë një votim për të ardhmen euroatlantike të sigurtë të Kosovës, për një jetë më të mirë për qytetarët, për zhvillim ekonomik, për mirëqenie, për vendet e punës”, u shpreh Presidenti Thaçi.

“Anita dhe unë shfrytëzuam të drejtën tonë, votuam. I lus të gjithë qytetarët e vendit të votojnë. Vetëm me votë vendosim vetë. Ata që s’votojnë, të tjerët votojnë për ta. Është sukses për Kosovën, çdo gjë ka shkuar mirë deri tani. Urime këto zgjedhje. Jemi në proces të rëndësishëm për vendin. I lus të gjithë qyttetarët që sot e kanë ditën të votojnë, të vendosin vetë”, deklaroi Ramush Haradinaj.

“Sot është një ditë e mirë, e jashtëzakonshme për Kosovën tonë të shenjtë. I uroj qytetarët, do t’i hapin perspektivën Kosovës, fëmijëve tanë, për hajër na qoftë të gjithëve”, është shprehur Veseli.

Sondazhet e deritanishme kanë treguar se asnjë nga partitë nuk do të kenë votat e mjaftueshme për të formuar të vetme qeverinë. LDK-ja dhe Vetëvendosja që renditen në krye të sondazheve, kanë lënë të hapur mundësinë e një bashkëpunimi paszgjedhor.

E pyetur për këtë, kandidatja e LDK-së Vjosa Osmani tha se çdo kalkulim do të bëhet pas daljes së rezultateve.

“Thirrja ime është për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të bëhen pjesë e këtij vendimi historik. Sepse vërtetë kjo është një ditë historike dhe vendimtare për të ardhmen e Kosovës. Besoj që nëpërmjet një procesi të drejtë, të lirë dhe demokratik, Kosova sot do të ketë arsye për të festuar. Prandaj edhe shpresoj që gjithçka të ecë mbarë. Që qytetarët ta shfrytëzojnë këtë të drejtë nëpërmjet të cilës përcaktojnë fatin e tyre, por edhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Gjithcka të shkojë pa asnjë presion dhe qytetarët të kenë mundësi ta shprehin vullnetin e tyre të lire”, tha Vjosa Osmani.

 “Të gjitha partive e politikanëve në fushatë u përgjigjet populli si burim i sovranitetit të Republikës sonë. Në ditën e sotme nuk ka rëndësi a je i pasur a je i varfër, a je grua e je burrë, a je i ri apo i moshuar, a vjen nga fshati apo nga qyteti, a ke mbaruar shkollim të lartë apo jo. Të gjithë jemi të barabartë, sistemi politik është hapur për të gjithë dhe secilin njësoj. Prandaj unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë këtë shans unik për nga karakteri e historik për nga pesha. Uroj votime të lira dhe ditë të këndshme për të gjithë qytetarët e Republikës sonë. Le të votojmë e le të festojmë”, tha Albin Kurti.

Një aleancë mes Kurtit dher Osmanit është komentuar si një lëvizje që mund të  mënjanojë nga qeverisja ish-drejtues të UÇK-së, por edhe si një perspektivë e re për dialogun Prishtinë-Beograd.

Tv Klan


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi