Presidenti Ilir Meta ka votuar në Njësinë Nr.5 në Tiranë pak minuta pasi janë hapur qendrat e votimit.

Pasi hodhi votën e tij në kuti, kreu i shtetit bëri edhe një deklaratë të shkurtër për mediat, ku i ftoi të gjithë qytetarët që të marrin pjesë masivisht në votime.

“Më në fund erdhi kjo ditë e bekuar, e mrekullueshme, edhe Zoti na ka ndihmuar sot që sovrani t’i ketë kushtet sa më të mira për ta shprehur vullnetin e tij dhe që Republika jonë të ripërtërijë themelet e saj përmes votës së lirë. Barazinë para ligjit e garanton vetëm barazia para votës. Çdo qyterar i Shqipërisë të votojë i lirë dhe me dinjitet për alternativën që beson.

I ftoj të gjithë të votojnë të lirë për alternativën që besjnë por mbi të gjitha i ftoj që te ajo alternativë që besojnë të zgjedhin kandidatët më të ndershëm dhe më patriotë.

Presidenti ka një axhendë që mbivendoset çdo sekondë. Sot votimi nuk është vetëm detyrim qytetar, është një akt patriotik, mbrojtja e atdheut detyrë mbi detyrat, sot atdheu mbrohet me votë dhe sjellje të qytetaruar europiane. Përpara drejt kutive të votimit. Votoni për atë që keni në mendje edhe në zemër”. /tvklan.al