Belinda Balluku, drejtuesja politike e PS për qarkun e Fierit i është drejtuar njërës prej qendrave të votimit. Zëvendëskryeministrja shoqërohet nga djali i saj në shkollën “Janaq Kilica” për të kryer detyrimin qytetar.

Pas kësaj, Balluku doli në një deklaratë për mediat. Fillimisht ajo  falënderoi të gjithë gazetarët dhe u bëri thirrje qytetarëve për të votuar.

Belinda Balluku: Fillimisht dua t’ju falënderoj të gjithë gazetarëve dhe opereatorëve që po mbuloni në qarkun e Fierit këtë ditë kaq të rëndësishme për procesin e votimit. Ndërkohë do t’u bëja thirrje të gjithë shqitparëve që ta përdorin votën e tyre për të votuar sot dhe mos ta çojnë dëm pasi siç e dimë shumë  mirë është një përgjegjësi qytetare e cila duhet ushtruar në një sistem demokratik ashtu siç është Shqipëria dhe me gjithë aspiratën tonë për t’u bërë pjesë e BE.

E pyetur pse zgjodhi këtë orar për të votuar, Balluku nuk shprehu ndonjë arsye të veçantë përveç angazhimeve të ditës, ndërsa vlerësoi qasjen e kandidatëve të PS kundrejt procesit të votimit.

Belinda Balluku: Për të thënë të drejtën, drejtuesit politikë kanë detyrë të drejtojnë qarkun e tyre kështu që unë kam qenë gjatë gjithë ditës e zënë duke ndjekur gjithë procesin duke qenë se s’ka qenë një proces  shumë i qetë në qarkun e  Fierit pavarësisht se Partia Socialiste ka bërë më të mirën për të respektuar dhe për të mos thyer në asnjë moment kodin zgjedhor. Dua të përgëzoj të gjithë kandidatët e listës së Partisë Socialiste për sjelljen shembullore që kanë pasur gjatë ditës së sotme dhe që do të kenë deri në fund të këtij procesi, gjë e cila besoj që e keni faktuar vetë sepse kanalet tuaja kam qenë duke ndjekur deri tani. Nuk është respektuar nga kandidatët e partive të tjera.

Në fund, ajo bëri thirrje për votuesit që marrin pjesë për herë të  parë në zgjedhje.

Belinda Balluku: Sot do të doja të thoja edhe një gjë tjetër. Unë u bëj thirrje të gjithë votuesve të herës së parë pasi kam edhe djalin tim sot që ka votuar këtu me mua që të dalin të votojmë sepse këto zgjedhje  janë për ta më shumë se për këdo.

Informohuni në zgjedhje.tvklan.al për të dhënat rreth pjesëmarrjes së votimit çdo orë dhe krahasimeve me zgjedhjet e mëparshme parlamentare./tvklan.al