Muhamet dhe Altin Mera i morën jetën fqinjit të tyre Xhetan Konesha, paraditen e së martës, pas një konflikti për motive të dobëta.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Luzni të Dibrës. Vëllezërit Mera e qëlluan 50-vjeçarin me automatik, duke e lënë fillimisht të plagosur. Por plagët ishin të rënda dhe Konesha humbi jetën në spital.

Autoritetet policore arritën që menjëherë pas ngjarjes, të arrestonin një prej vëllezërve, 30-vjeçarin Muhamet Mera. Por Altin Mera, 42-vjeç, arriti të largohej drejt zonës së pyllit.

24 orë më vonë, ai u vetëdorëzua, duke qenë se siç thotë edhe vetë policia në njoftimin e saj për mediat, nuk kishte mundësi që të vijonte të qëndronte i fshehur apo të largohej.

Shkak për vrasjen dyshohet se u bë një kanal uji që ndodhej mes pronave të fqinjëve. Megjithatë, autoritetet thonë se vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë./tvklan.al