Xhemit Picari dhe Dhurata Saliaj janë vënë në pranga nga policia e Tiranës në lidhje me ngjarjen e rëndë ku mbeti i vdekur Kudret Saliaj. Viktima ishte ish-bashkëshorti i 33-vjeçares. Dhurata Saliaj u arrestua disa orë pas ngjarjes pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me babain e saj për të vrarë ish-dhëndrin.  

Ajo ka dhënë dëshminë para oficerëve dhe ka thënë se marrëdhëniet me Kudret Saliajn kanë qenë të tensionuara. Klan News raporton se ajo ka dëshmuar se ish-bashkëshorti e ka kërcënuar herë pas here atë dhe prindërit e saj. Për këtë arsye, sipas 33-vjeçares e ëma e saj kishte një urdhër mbrojtje prej një viti.

“Marrëdhëniet me Kudretin i kam pasur të tensionuara, ai gjithë kohën më ka kërcënuar. Vinte shpeshherë tek shtëpia e prindërve në Picarë dhe na kërcënonte se do na vriste. Mamaja ime ka marrë urdhër mbrojtje për një vit nga gjykata”, ka dëshmuar ajo.

Ngjarja e rëndë që i mori jetën Kudret Saliajt ndodhi mesditën e së premtes përpara nisjes së seancës gjyqësore për procesin e divorcit dhe kujdestarinë e fëmijëve. Mexhit Picari qëlloi disa herë me plumba ndaj tij duke e lënë të vdekur, ndërsa plagosi edhe avokatin e viktimës, ish-prokurorin Adriatik Cama.

Babë e bijë tashmë akuzohen për vrasje të funksionarëve publikë e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë, vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare e kryer në bashkëpunim, vrasja në rrethana cilësuese e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtja pa leje.

53-vjeçari u arrestua pak momente pas krimit. Në dëshminë e parë të dhënë për oficerët e policisë, Picari është shprehur se gjithçka kishte bërë, e kishte bërë për dinjitetin e vajzës, sepse sipas tij ish-dhëndri e kishte akuzuar pa të drejtë. Mexhit Picari është ish-polic i Burgjeve dhe armën mësohet se e kishte pa leje.

Ndarja e vajzës me viktimën Kudret Saliaj ka agravuar situatën në familje. Ngjarja ka nisur në muajin Tetor 2020 ku nusja e shtëpisë, Dhurata, pretendonte se bashkëshorti i saj, Kudreti, e kishte larguar nga shtëpia e bashkëshortit dhe e kishte çuar tek shtëpia e babait duke mos i lënë asnjë mundësi për të takuar 3 fëmijët. Brenda familjes ka pasur akuza dhe kundërakuza, pretendime për tradhti bashkëshortore, mosmarrëveshje dhe deklarata për dhunë fizike dhe psikologjike.

Historia e Dhurata Saliajt nuk është e panjohur për publikun. Kjo pasi më 9 Nëntor të 2020-s, ajo së bashku me të atin Mexhit Picari rrëfeu historinë në emisionin “Uniko”, në Klan Plus të gazetarit Spartak Koka./tvklan.al