Vrasësi i 20-vjeçares tregon përse e përqafoi nënën e saj: Do doja ta ktheja kohën pas dhe…




Vrasësi i 20-vjeçares tregon përse e përqafoi nënën e saj: Do doja ta ktheja kohën pas dhe…

22:31 20/06/2021

Autoritetet policore e konsiderojnë “aktor i kalibrit të lartë”

“Do doja ta ktheja kohën pas dhe të ndryshoja gjithçka. Do doja që të mos i kisha shkatërruar jetët tona, atë të Caroline-s, të voglës dhe timen”. Kështu raportohet të jetë shprehur Babis Anagnostopoulos, piloti i cili vrau gruan e tij 20-vjeçare në Greqi. Sipas asaj që shkruajnë mediat atje, 32-vjeçari u shpreh i penduar për vrasjen e bashkëshortes. Ai foli edhe për përqafimin që i dha vjehrrës së tij, përpara se të shoqërohej nga policia, për t’u arrestuar më pas për vrasjen e vajzës së saj 20-vjeçare.

“E bëra sepse isha penduar. Ndjeja dhimbje. E kam dashur gjithmonë vjehrrën time dhe do ta dua gjithmonë Caroline”.

Për këtë ngjarje të rëndë që tronditi Greqinë dhe mori vëmendjen e mbarë mediave ndërkombëtare, dalin çdo ditë detaje të reja. Protothema sjell këtë të diel të tjera detaje për vrasësin e së resë 20-vjeçare Caroline.

Teatri i luajtur nga Babis Anagnostopoulos, që e vrau gruan me duart e tij zgjati plot 37 ditë. Vrasja e 20-vjeçares më 11 Maj qe në vetvete një ngjarje brutale, edhe me versionin e dhënë nga 32-vjeçari që pretendonte se Caroline u vra nga grabitësit.

Ditët e para pas krimit, piloti 32-vjeçar ishte shumë bashkëpunues me policinë, duke bërë që mes palëve të ndërtohej një marrëdhënie “miqësore”, duke fituar kështu besimin e tij. Pavarësisht shumë mangësive në përshkrimet që bënte dhe pyetjeve që lindin rrugës nga hetuesit, Babis kishte një përshkrim tejet të qartë për mënyrën sesi grabitja e pretenduar kishte ndodhur.

Ai dëshmoi se grabitësit ishin të ftohtë e të pashpirt, e madje armën ia kishin kthyer edhe vajzës së vogël në mënyrë që të gjenin paratë e bizhuteritë e çiftit. Kjo ishte dhe arsyeja se përse, sipas 32-vjeçarit, nëna e re nisi të ulërinte për ndihmë, e për pasojë kriminelët e vranë dhe e bënë këtë duke e mbytur.

Por teksa ditët kalonin, policia po i konsideronte të gjitha mundësitë. Në njërën anë po hetonin një bandë grabitësisht që ishte kaq brutale sa të ndërmerrte edhe një akt të tillë. Nga ana tjetër ama, hetuesit po studionin çdo element nga shtëpia e çiftit në Glyka Nera.

Përralla e Babais mori fund në një zyrë të departamentit të kriminalistikës në Athinë, ku 32-vjeçari pranoi krimin në prani të dy psikologëve.

Para kësaj, vrasësi, i përshkruar nga autoritetet si “aktor i kalibrit të lartë”, teatrin e tij e mbylli duke përqafuar vjehrrën, gjatë një përkujtimoreje që u mbajt për 20-vjeçaren. Kjo ndodhi përpara se oficerët e policisë, tek të cilët Babis kishte krijuar besim iu afruan për ta shoqëruar me helikopter.

Kur iu afruan, ata i thanë që t’i ndiqte sepse kishte pasur zhvillime domethënëse për çështjen. Oficerët i thanë të fikte telefonin, i kërkuan që të mos bënte asnjë skenë për shkak të pranisë së mediave dhe të largohej me ta në mënyrë diskrete, për të mirën e tij. Po ashtu 32-vjeçarit iu tha se ishte arrestuar një i dyshuar në aeroport dhe se duhet ta identifikonte.

Babis lëvizi kokën dhe fillimisht nuk donte të shkonte, por policia insistoi, kështu që ai u largua. Para se të largohej me helikopter ai e përqafoi nënën e Caroline-s dhe oficerët e policisë pritën rreth 5 minuta, ndërkohë që dyshja përqafohej e qante.

Analizimi i të dhënave ishte ajo që i dha fund aktrimi të Babis Anagnostopoulos dhe rrëfimit të vrasjes makabre nga ana e tij. Ora inteligjente e Caroline-s, ashtu sikurse edhe telefon i tij, çuan në zbardhjen e këtij krimi.

Caroline po flinte kur bashkëshorti i saj 32-vjeçar i mori jetën./tvklan.al





Të ngjashme