Vrasësi i çiftit Kosta, në gjendje të rëndë



Vrasësi i çiftit Kosta, në gjendje të rëndë

11:40 26/10/2017

Një ditë pas krimit të dyfishtë që tronditi qytetin e Gjirokastrës, policia ka vendosur arrestin në kushtet spitalore për Apostol Kostën.

73 - vjeçari është i dyshuari kryesor i vrasjes së bashkëshortëve Afërdita dhe Aleko Kosta, krim i ndodhur mëngjesin e së mërkurës në lagjen Palorto të Gjirokastrës.

Pas krimit, autori tentoi të vetëvritej. Ai ndodhet aktualisht në spitalin e Traumës në Tiranë, në gjendje të rëndë për jetën.

Gjithçka erdhi për shkak të një barake që 73 - vjeçari kishte ndërtuar mes shtëpisë së tij dhe kushëririt Aleko Kosta, të cilën kishte nisur ta rikonstruktonte e t'i regullonte çatinë.

Çështja në fjalë kishte shkuar në gjykatë dhe kjo e fundit i kishte dhënë të drejtë viktimave.

Pavarësisht kësaj, Apostol Kosta nuk ishte tërhequr.

Autoritetet gjetën në shtëpinë e viktimave 17 gëzhoja, një granatë dore, një automatik, si dhe 5 fishekë.

73 - vjeçari hodhi fillimisht granatë në banesën e çiftit, por pasi kjo e fundit nuk shpërtheu, ai i ekzekutoi ata me kallashnikov.

Në momentin e krimit, në shtëpi ndodhej edhe djali 19 - vjeçar i Afërdita Kostës, të cilin ajo e kishte nga martesa e mëparshme.

49 - vjeçarja me profesion mësuese dhe muzikanti 61 - vjeçar Aleko Kosta do të përcillen sot për në banesën e fundit.

/tvklan.al







Të ngjashme