Anterio Kaloshi u arrestua nga RENEA në Linzë

Ky është Anterio Kaloshi. Është ky personi që shihet në këto pamje filmike duke qëlluar me breshëri automatike ndaj hotel Volorekës në Pogradec, natën e 8 Gushtit.

Ai ishte në kërkim se kishte fshehur në një shtëpi me qira në zonën e Xhamllikut, Orges Bilbilin, i cili u plagos nga policia më 10 Prill, pas një konflikti për shkak se kishte shkelur karantinën.

29-vjeçari kërkohej gjithashtu si i përfshirë sëbashku me Laert Haxhiun në vrasjen e dyfishte të ndodhur në Lushnje në vitin 2017, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha. Më 28 korrik, ai i shpëtoi një operacioni të zhvilluar në Lushnje, sëbashku me Haxhiun.

Kaloshi u arrestua në zonën e Linzës, në një operacion të RENEA-s, së bashku me Meardi Berberin, 34 vjeç, djali i Ilir Berberit, për të cilin Gjykata e Pogradecit vendosi masën e sigurisë arrest me burg si organizator i sulmit ndaj hotel Volorekës.

Këto janë pamjet e arrestimit, sëbashku me personin që i kishte strehuar.

“Shtetasi Meardi Berberi, në bashkëpunim me shtetasin Ilir Berberi (i ndaluar), të dy në rolin e organizatorëve, si edhe shtetasi Anterio Kaloshi në rolin e ekzekutorit, më datë 08.08.2020, dyshohet se kanë tentuar të vrasin me armë zjarri, djalin e pronarit të hotelit, shtetasin J. M., ku si pasojë e të shtënave me armë, janë dëmtuar godina e hotelit dhe 7 automjete të parkuara pranë tij. Shërbimet e Forcave Operacionale kanë bërë kapjen në flagrancë të tyre në zonën e Linzës, Tiranë, në garazhin e shtetasit Ervin Kalaja, i cili dyshohet se ka përkrahur pas kryerjes së krimit, shtetasin Meardi Berberi, duke i mundësuar kushte dhe mjete për jetesë”.

Në garazhin e Ervin Kalasë u sekuestruan armë të ndryshme që dyshohet se janë përdorur në krime të tjera dhe municione te shumta.

Policia thotë se sulmi me armë i 8 Gushtit ishte tentative për të vrarë djalin e pronarit të hotelit Voloreka. Numri i të arrestuarve në operacionin e koduar me emrin “Driloni” ka arritur në 7. Një tjetër person i përfshirë në këtë ngjarje, me inicialet B.S, është shpallur në kërkim.

Tv Klan