Njëri prej vrasësve të dyshuar të avokatit grek Mixalis Zafeiropoulos është arratisur në Shqipëri. Kështu shkruajnë sot mediat greke duke ju referuar burimeve policore. Autoritetet greke thonë se autori i dytë është një shqiptar, identitetin e të cilit e posedojnë, por nuk e bëjnë me dije për shkak të hetimeve. Hetuesit kanë informacione se ai ndodhet në vendin tonë.

Ndërkohë, autori tjetër i vrasjes është arrestuar nga policia greke në qytetin e Patras. Ai është një 32-vjeçar shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije. 32-vjeçari tentoi të arratisej në Shqipëri, por dështoi. Para hetuesve të Athinës, ai ka pranuar krimin dhe ka bashkëpunuar me drejtësinë. Ndërkohë, 3 shqiptarë të tjerë që janë në burgun e Koridhalos, dy ditë më parë u transferuan në Drejtorinë Qendrore të Policisë së Athinës për t’u marrë në pyetje, pasi dyshohet të kenë qenë ndërmjetës mes vrasësve të avokatit dhe porositësit të vrasjes.

Avokati i njohur grek Mixalis Zafeiropoulos u vra më 12 Tetor në zyrën e tij në qendër të Athinës. Hetuesit besojnë se dy autorët kanë dashur ta trembnin dhe t’i bënin presion, por debati mes tyre u përshkallëzua dhe qëlluan për vdekje avokatin. /

tvklan.al