Jaime Ivan Martinez Betancurt,  44 -vjeçari nga Kolumbia, pasi u mbajt nga policia si dyshues për zhdukjen e një gruaje, ka rrëfyer se ka vrarë atë dhe 19 njerëz të tjerë. Mes viktimave, ai ka pranuar se ka mbytur edhe gruan e tij me dy fëmijët,  vajzën 7-vjeçare dhe djalin 5-vjeçar.

Prokuroria ka deklaruar se rrëfimi i tij erdhi pasi policia gjeti trupin e pajetë të së zhdukurës Maria Glady Arango, 51-vjeçe,në një kuti plastike të varrosur në oborrin e fermës së vrasësit.

Përsa i përket vrasjes së gruas dhe dy fëmijëve, vrasësi nuk ka treguar shkaqet por ka thënë se ai ka përdorur telefonin e gruas në emër të saj, duke dërguar mesazh për të afërmit, duke thënë se do të largohej nga vendi me fëmijët.

Ende nuk është konfirmuar lidhja e vrasësit serial me viktimën, por mendohet se të dy kishin biseduar në telefon dhe kishin rënë dakort të takoheshin në shtëpinë e tij. Motivet për vrasjet e kryera, kanë mbetur të paqarta.

Ndërkohë, ekspertët mjeko-ligjorë janë duke kryer ekspertizën rreth pjesëve të trupave të personave të tjerë, të varrosur në fermën e tij.

Kolumbia, ku pothuajse shtatë milionë njerëz janë zhvendosur brenda vendit nga dekadat e dhunës dhe të luftës së armatosur, ka patur një numër të rasteve të vrasjeve seriale, të cilat kanë mbetur të pavërtetuara për një kohë të gjatë./Tvklan.al