Autoritetet britanike kanë dëbuar nga vendi shqiptarin Ardian Rragami, pas një beteje të gjatë ligjore me të. 47-vjeçari kërkonte që të mos dëbohej nga shteti ishullor me pretendimin se do t’i shkatërrohej jeta familjare. Por, gjithçka ishte kundër tij. Mediat angleze publikuan një video ku shqiptari shfaqej duke kërcënuar me thikë gruan e tij Chrysoulla. Pamjet ishin filmuar nga një prej prej mbesave, ku Rragami dukej qartë që kërcënonte bashkëshorten se do t’i priste fytin.

Vet ai pranoi në Gjykatë se e kishte prerë në nofull me thikë kuzhine bashkëshorten. Në përfundim të procesit gjyqësor, 47-vjeçari doli i lirë pasi u dënua me 8 muaj burgim të lëna pezull. Nëse do të dënohej me 12 muaj, automatikisht dëbohej nga vendi. Por, pas kësaj nisi një proces i ndikuar edhe nga shtypi britanik. Bashkëshortja e shqiptarit deklaroi gjithashtu se ajo ndihej e kërcënuar dhe nuk do të gjente qetësi deri sa Ardiani të dëbohej nga Britania e Madhe.

Ardian Rragami ka qenë i dënuar në Shqipëri për vrasjen e Qemal Kolës në vitin 1998 dhe më pas u arratis drejt Anglisë ilegalisht duke përdorur emrin Ardian Gashi si refugjat nga lufta e Kosovës. Në vitin 2000, Gjykata e Shkodrës e dënoi me 15 vjet burg në mungesë. Dy vjet më vonë ai u martua me Chrysoullan. Çifti u vendos në Wickford, Essex dhe kanë dy vajza, 13 dhe 15 vjeç. Ai u dënua me burg për vjedhje në Britani në vitin 2007. Në vitin 2009 ishte Interpol që arriti ta gjente shqiptarin dhe nga ajo kohë nisën procedurat e ekstradimit. Ai u kthye në Shqipëri në vitin 2010, por qëndroi vetëm 4 vjet në burg, pasi e apeloi vendimin dhe dënimi iu ul. Sapo u lirua, Rragami u rikthye sërish në Britani tek bashkëshortja. Ai u kap 2 vjet më vonë dhe nisi betejën e gjatë kundër deportimit, gjyq të cilin e humbi së fundmi.

/tvklan.al