Vladimir Kurti dhe Ruzhdi Hoda, autorët e dyshuar të vrasjes së Agim Bucit, janë shfaqur kontradiktorë në dëshmitë e tyre. Në Gjykatë asnjëri nuk pranoi se kishte qëlluar mbi viktimën. Të rinjtë nuk refuzuan akuzën se ishin ata që grabitën minimarketin në Kamëz. Por kur u pyetën se kush qëlloi me pistoletë ngritën supet, njëri në përpjekje për të shmangur akuzën, e tjetri për të mbrojtur mikun që përdori armën. 

Prokuroria thotë se autori i vrasjes së Agim Bucit dhe plagosjes së bashkëshortes së tij në sy të djalit të tyre 6-vjeçar është Vladimir Kurti. Sipas hetuesve, është ai që shfaqet me armë në dorë në pamjet filmike të kamerave të sigurisë së minimarketit. Por 28-vjeçari tha në Gjykatë se vetëm u përlesh me viktimat, kur gruaja nisi t’i qëllonte me çfarë kishte në dorë. Të njëjtën gjë pretendoi edhe 25-vjeçari Hoda.

Arma e krimit, që do të sqaronte edhe kontradiktën e tyre, nuk është gjetur ende. Të akuzuarit thanë se e kishin hedhur në lumin Tërkuz, por polumbarët nuk arritën ta gjejnë, edhe pse rrjedha e lumit u devijua dhe uji u largua me pompa. Policia i ka ndërprerë kërkimet pas 3 ditësh. Hetuesit dyshojnë se arma mund të jetë fshehur në një vend tjetër nga dy autorët dhe ata nuk e tregojnë, që drejtësia të mund të mos provojë se ndonjëri prej tyre është vrasësi. 

Dy të rinjtë do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve dhe mbi ta rëndon akuza e grabitjes me pasojë vdekjen. Gjykata e cilësoi të ligjshëm ndalimin e tyre, duke caktuar masën e sigursë arrest me burg për ta.

Tv Klan