Gjykata e Tiranës ka vendosur që të kaloj për gjykim çështjen në ngarkim të të miturit Mario.P sipas asaj që raporton gazetarja e Klan News, Glidona Daci.
Ai akuzohet për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij Martin Cani, ngjarje e ndodhur në 18 Nëntor të vitit të shkuar në afërsi të shkollës “Fan Noli”.
Gjyqtarja Migena Laska ka pranuar kërkesën e prokurorisë për gjykim të dosjes penale. 14-vjeçari Mario.P do të gjykohet për veprën penale, vrasje në rrethana cilësuese ndaj dy ose më shumë personave. Ndërkohë gjykata ka rrëzuar kërkesën për gjykim të shkurtuar të bërë nga 14-vjeçari.
Në sallë psikologia Lindita Hoxha është shprehur se është dakord që të vijojë gjykimi i zakonshëm për shqyrtim me të detajuar të çështjes në themel.
Ndërkohë në dalje nga gjykata, avokati i familjes Cani, Redi Ramaj dha më shumë detaje lidhur me seancën ku theksoi se kërkesa e vazhdueshme e tyre është po e njëjta, që të zbardhet çdo moment i errët i kësaj ngjarje.
“Pavarësisht pretendimeve të palëve në proces vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë, Shpejt besoj do të kemi një gjykim themeli ku do të ballafaqohen të gjitha provat, faktet, rrethanat që lidhen me këtë ngjarje. Kërkesa jonë vazhdon dhe mbetet e njëjtë dhe e pandryshueshme, zbardhja e çdo momenti të errët dhe çdo problematike të ngjarjes. Mendojmë se hetimi paraprak fillestar i policisë dhe disa organeve të tjera shtetërore hetuese nuk ka qenë aty ku duhet, Ky është një diskutim dhe pretendim i joni që do të shqyrtohet në gjykim themeli. Sot japim prapë të njëjtin mesazh që çështja duhet të zbardhet dhe duam drejtësi sepse ky është interesi mendoj i të gjithë shqiptarëve”, shprehet Redi Ramaj, avokati i familjes Cani.
Një fjalë të shkurtër pati edhe nëna e Martin Canit e cila u shpreh se janë dakord me ato që u diskutuan në seancë dhe do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.
“Ne do i ndjekim herë pas here por sot jemi dakord me ato që dëgjuam dhe aq sa arritëm në këtë seancë. Do të jemi përsëri këtu”, u shpreh nëna e Martinit.
Ndërkohë shoku i 14-vjeçarit, i cili mbeti po ashtu i plagosur në këtë ngjarje u shpreh se kërkojnë drejtësi për Martinin.
“Aq mirë nuk e kam përjetuar, por kam për të thënë që duam drejtësi”, shprehet shoku i Martin Canit.
/tvklan.al