Mjacaj

Burg i përjetshëm për 20-vjeçarin, Sokol Mjacaj që vrau në Prekal dy turistë çekë në korrik të këtij viti. Gjykata e Shkodrës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë bërë 6 ditë me parë e cila kërkoi dënimin maksimal për të.

Gjykata rrëzoi kërkesën për gjykim të shkurtuar dhe për ekzaminim psikologjik të Sokol Mjacajt. Seancën e parë të gjyqit Mjacaj i përlotur pati kërkuar mëshirë, duke deklaruar se, nuk kishte qëllim vrasjen e turistëve, por vetëm grabitjen e tyre.

Edhe kjo seancë e fundit në Gjykatën e Shkallës së Parë është ndjekur nga përfaqësues të Ambasadës Çeke.

20 – vjeçari Mjacaj e pranoi krimin duke deklaruar se, çiftin çek, Mikael Svatos dhe Ana Kosinova, i qëlloi me kallashnikov për t’i grabitur. Ai kishte hipur në makinën e tyre duke i kërcënuar me armë në rrugën Dukagjin – Shkodër. Vrasjen e çiftit i riu deklaroi se e kreu nga frika pasi 27 – vjeçari Svatos kishte tentuar t’i merrte armën gjatë udhëtimit.

Polcisë së shtetit iu desh dy ditë operacione në zonen malore të Dukagjinit për ta arrestuar 20 – vjeçarin, ku u përfshinë qindra forca policie. Sokol Mjacaj ka qenë i dënuar edhe në vitin 2010 për vjedhje në bashkëpunim me pasojë vdekjen e një fëmije.

Tv Klan