Policia e Shkodrës ka dhënë informacion zyrtar për ekzektutimin e dyfishtë të ndodhur paraditen e kësaj të shtune, ku mbetën të vrarë vëllezërit Astrit dhe Brahim Bilali.

Në një njoftim për mediat, policia sqaron se

“ngjarja ndodhi rreth orës 09:45, në lagjen “Guerile” në vendin e quajtur “Zooteknika” nga persona ende të pa identifikuar janë vrarë me armë zjarri shtetasit A. B. 59 vjeç dhe B. B., 61 vjeç (vëllezër)”.

“Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorëve të cilët pas ngjarjes janë larguar me një automjet i cili është gjetur duke u djegur në një rrugicë në brendësi të lagjes ku ka ndodhur ngjarja”.

Në ndihmë të Policisë së Shkodrës janë vënë forcat FNSH Shkodër, ku janë ngritur pika kontrolli, si dhe po bëhet krehja në një perimetër të gjerë të zonës me qëllim kapjen e autorëve.

Gjithashtu, në njoftim thuhet se nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është nisur një grup i posaçëm me ekspertë dhe drejtues të Policisë Kriminale dhe asaj të Rendit për t’ju bashkuar grupit hetimor të ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarje.

Policia e Shkodrës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që çdo informacion sado të vlefshëm që mund të kenë të njoftojnë në numrin 112 ose në numrin 0 69 410 2147 duke ju garantuar ruajtjen e plotë të anonimatit

“, thotë policia në njoftim.

Vëllezërit Bilali u ekzekutuan pranë banesave të tyre. Shkaqet e këtij atentati mafioz mbeten të panjohura. Viktimat nuk rezultojnë me precedentë penalë, megjithatë djali i Astrit Bilalit është Asmer Bilali, një emër i njohur për policinë dhe publikun.

Një ish-boksier, i riu u arrestua vitin e shkuar si pjesë e grupit të Bajrave.

Ai ishte gjithashtu në shoqërinë e Arjan Ferracakut, kur ky i fundit u ekzekutua për vdekje, ndërkohë që kishin dalë për hipizëm. Ngjarja në fjalë ndodhi në Shtator të vitit të shkuar dhe në këtë rast u dyshua se autorët mund të kishin ngatërruar shënjestër dhe se në të vërtetë donin të vrisnin Asmer Bilalin.

Bilali ishte gjithashtu i dyshuari kryesor në një ngjarje të ndodhur në 2017-n, ku mbeti i plagosur me armë 20-vjeçari Hermes Beqiri.

Në foto Asmer Bilali

/tvklan.al