Pak orë pas vrasjes së dyfishtë në kryeqendrën e veriut, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka komunikuar mbrëmjen e së shtunës shkarkimin e drejtorit të Policisë së Shkodrës, Vehbi Bushati.

https://www.facebook.com/punetebrendshme.gov.al/videos/1262823253876600/

Lleshaj tha se Bushati do të zëvendësohet në detyrën e tij nga Niko Brahimi. “

Dua të garantoj të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë se Policia e Shtetit është e angazhuar në maksimum për të vazhduar luftën me krimin dhe për ta fituar, pa diskutim. Në shërbim të këtij angazhimi, ne kemi marrë sot edhe një vendim të rëndësishëm për të ngarkuar në drejtorinë vendore të Shkodrës një drejtues të ri, i cili vjen nga Tirana. Niko Brahimi është një nga drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit. Ai ngarkohet sot me sigurinë e qytetit të Shkodrës dhe kam besimin e plotë se do të japë impulse të reja dhe do të sigurojë atë që Shkodra meriton, qetësi, rend, dinjitet, për arsye se ky qytet është në atë nivel që meriton gjithçka dhe ne gjithçka do të bëjmë për sigurinë e tij.

Ekzekutimi i vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, dyshohet se është larje hesapesh mes bandave rivale. Kjo është pista kryesore e hetimit të policisë dhe konfirmimi vjen nga Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili në një komunikim me gazetarët tha: “sigurisht që këtu kemi të bëjmë me një rast specifik, i cili është larje hesapesh. Kjo është pista kryesore e cila po ndiqet. Edhe larja e hesapeve na prek, na rëndon, na vjen keq që kemi larje hesapesh, por nuk ka hapësirë aspak për shqetësime në fushën e sigurisë për qytetarët e Shkodrës.”

Lleshaj tha se me gjithë luftën dhe goditjet e fuqishme që i janë dhënë krimit të organizuar në Shkodër, prapë rezulton se lufta ndaj këtij krimi nuk është fituar ende dhe mbetet shumë për të bërë.

 “Metastazat e këtij krimi treguan edhe sot pra se janë gjallë, kanë mundësi për të goditur.” 

Astrit e Brahim Bilali u qëlluan me breshëri automatiku nga një automjet, duke mos u lënë mundësi viktimave të reagonin. Ata kanë mbetur të vdekur në vend, si pasojë e plumbave të marrë në lagjen Kiras, e cila është një nga zonat më problematike të Shkodrës.

Autorët më pas u larguan me shpejtësi nga vendi i krimit, ndërsa mjeti që u përdor në atentat u gjet i djegur në rrugicat e lagjes. Ekspertët e kanë këqyrur me shpresë që të gjejnë prova, pasi makina ishte djegur pjesërisht.

Qindra forca policie ndodhen në rrugët dhe lagjet e Shkodrës. Në ndihmë të policisë së lokale janë vënë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë është nisur një grup i posaçëm me ekspertë dhe drejtues të Policisë Kriminale dhe asaj të Rendit për t’ju bashkuar grupit hetimor me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarje. /tvklan.al