Vrasja e 20-vjeçares Caroline në sy të fëmijës së saj 11 muajsh prej ditësh vijon të marrë vëmendjen kryesore nga mediat greke. Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik dhe autoritetet janë angazhuar për zbardhjen e saj.

Sot media “Espresso” duke iu referuar burimeve ka publikuar detaje lidhur me autorët e mundshëm të kësaj ngjarje të rëndë. Kjo media raporton se një prej personave të kërkuar për vrasjen e nënën 20-vjeçare është një shqiptar me precedent të mëparshëm penal.

Shqiptari që është shpallur në kërkim ka qenë i dënuar për vrasje e mbetur në tentativë, formim të një organizate kriminale, grabitje dhe krime të tjera. Ai së fundmi është liruar nga burgu dhe policia ka shkuar në banesën e tij, por nuk e ka gjetur aty, por nga autoritetet ende nuk ka një njoftim zyrtar për këtë gjë.

Autoritetet dyshojnë tek shqiptari pas dëshmisë së bashkëshortit të 20-vjeçares, i cili ka treguar se një prej autorëve ka qenë një burrë rreth 170 centimetra i gjatë.

Po ashtu ai ka treguar dhe detaje të tjera që duket se po ndihmojnë hetuesit për të ndërtuar identikitët e autorëve.

32-vjeçari me profesion pilot pritet që të merret sërish në pyetje dhe të herë më shumë dritë se çfarë ndodhi natën e grabitjes, ku për fat të keq gruaja e tij humbi jetën pas dhunës së hajdutëve./tvklan.al