Dy persona, të cilët i morën jetën një të riu shqiptar në rrugët e Southampton kanë pranuar krimin.

21 – vjeçari Shkëlzen Dauti, i njohur ndryshe si Genny, u godit me thikë në kraharor mëngjesin e 11 Marsit.

Sipas britanikes BBC, Lee Marc Williams dhe Christopher Jones, dy 27 – vjeçarë nga Uellsi verior, pranuan gjithashtu akuzën e grabitjes, ndërsa Williams pranoi posedimin e një thike.

Ata pritet që të njihen me dënimin nga gjykata e Winchester të enjten.

Williams nga Flintshire dhe Jones nga Denbighshire u arrestuan pasi Dauti u godit për vdekje me thikë në Gilpin Close.

Hetuesit britanikë e konsideruan sulmin ndaj të riut shqiptar si

“një sulm të pa provokuar, të dhunshëm dhe të pa kuptimtë, që Lee Williams dhe Christopher Jones e ndërmorën për të përmbushur babëzinë e tyre”.

“Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për prindërit dhe të fejuarën për humbjen e njeriut të tyre të dashur. Shpresoj që verdikti të mund t’ia lehtësojë sado pak dhimbjen”,

tha detektivja Liz Williams.

Gjatë seancës gjyqësore u zbulua se Dauti punonte si shpërndarës droge për bandat e Southampton.

21 – vjeçari u vra pasi Williams dhe Jones nuk kishin para për të paguar për kokainën që kishin porositur. Ata u takuan me të riun në një cep dhe pasi e grabitën, e goditën me thikë në zemër.

Dauti, i cili kishte pak kohë që ishte fejuar, ndërroi jetë në vendngjarje. 

/tvklan.al