Policia e Bulqizës ka sqaruar ngjarjen e ndodhur gjatë natës, ku ka mbetur i vdekur një 22-vjeçari Elidon Basha që kishte dalë për gjah. Në një njoftim për mediat, blutë e Bulqizës sqarojnë se autori është 27-vjeçari K. Kola, i cili është shoqëruar në komisariat ku dhe po merret në pyetje.

Rreth orës 23:30 të mbrëmjes së djeshme, në një kodër të fshatit Fushë Bulqizë, shtetasi K. K., së bashku me shtetasin E. B., në rrugën Fushë Bulqizë – Kodër Dane, dyshohet se kanë qenë duke gjuajtur me armë gjahu çifte. Dyshohet se nga pakujdesia shtetasi K. K. ka plagosur shokun e vet, shtetasin E. B., 22 vjeç, i cili ka humbur jetën rrugës për në spitalin e Tiranës”, bën me dije Policia.

Po ashtu bëhet me dije se janë zhvilluar kontrolle të shumta dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e gjahut, një elektrik dore, motomjeti me të cilin këta persona kishin shkuar për gjueti dhe sende të tjera të vlefshme që do t’i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes./tvklan.al