Vrasja e 25-vjeçarit nga policia, reagon SHÇBA: Efektivi veproi në kundërshtim me procedurat



Vrasja e 25-vjeçarit nga policia, reagon SHÇBA: Efektivi veproi në kundërshtim me procedurat

16:52 08/12/2020

Efektivi që qëlloi për vdekje 25-vjeçarin Klodjan Rasha në orët e para të mëngjesit të së martës, ka vepruar në kundërshtim me procedurat për përdorimin e armës.

Në këtë konkluzion ka dalë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pranë Ministrisë së Brendshme, nga hetimet paraprake që ka kryer deri më tani.

Në një njoftim për shtyp, SHÇBA thotë se punonjësi i policisë është arrestuar dhe akuzohet për vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme.

Nga hetimet paraprake është konkluduar se dyshohet se veprimet e punonjësit të Policisë N.H., bien në kundërshtim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit. Ai nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armës së zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme”, thotë SHÇBA.

Në vendngjarje u gjetën dy gëzhoja dhe një predhë, që dyshohet se janë qitur nga arma e shërbimit të efektivit. Po kështu, janë sekuestruar pamjet filmike të subjekteve private pranë vendit të ngjarjes.

Në një nga rrugicat ku ka kaluar viktima gjatë ndjekjes nga punonjësit e policisë, u gjet edhe një armë zjarri pistoletë.

Në raportin e saj, SHÇBA ka përshkruar edhe dinamikën se si ka ndodhur ngjarja në orën 01:45.

“Punonjësi i policisë N.H., efektiv i Patrullës së Policisë, gjatë shërbimit në rrugën “Dritan Hoxha”, ka qëlluar me armën e shërbimit shtetasin K.R., i cili ka gjetur vdekjen në spital. Shërbimi i Policisë i përbërë nga dy punonjës, të dislokuar në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar gjatë patrullimit një shtetas, i cili sillej dhe kryente veprime të dyshimta, çka bëri shkak që Patrulla të kryente verifikimin e shtetasit. Pas thirrjes së Policisë për të ndaluar, i riu nuk i është bindur thirrjes së efektivit dhe ka tentuar të largohet për t’i ikur policisë, e cila është vënë në ndjekje të tij nëpër rrugica.  Në ndjekje e sipër, punonjësit e policisë kanë konstatuar se shtetasi kishte me vete një send në dukje armë zjarri, çka ka bërë që Patrulla të kërkojë përforcime nga Salla Operative duke dhënë rrethanat, adresën dhe karakteristikat e personit që po ndiqnin. Shtetasi K.R. është larguar me vrap dhe në ndjekje e sipër është përballur me punonjësin e policisë N.H., i cili pasi nuk ka arritur të kapë dhe prangosë atë, ka hapur zjarr me armën e shërbimit në drejtim të tij. Për pasojë ky shtetas është plagosur dhe më pas ka gjetur vdekjen në spital”, sqaron Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. /tvklan.al






Të ngjashme