Duke i shprehur ngushëllimet familjarëve të Klodian Rashës, Policia e Shtetit, në një reagim në rrjetet sociale thotë se krahas hetimeve që po kryhen nga organet e pavarura, strukturat përgjegjëse në Policinë e Shtetit po analizojnë të gjithë ‘faktorët që çuan në incidentin fatal’.

“Në emër të punonjësve të Policisë së Shtetit, të prekur nga ngjarja e rëndë që ndodhi një ditë më parë në Tiranë, e cila përfundoi me vrasjen tragjike të të riut Klodjan Rasha, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, të afërmve dhe qytetarëve të lënduar nga ky akt. Pas ngjarjes së ndodhur, krahas hetimeve të nisura nga organet e pavarura, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, strukturat përgjegjëse në Policinë e Shtetit po analizojnë në mënyrë intensive të gjithë shkaqet, veprimet, mosveprimet apo faktorë të tjerë që çuan në incidentin fatal. Policia e Shtetit garanton qytetarët se mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar në detyrën e saj për rritjen e sigurisë publike, në mbrojtje të jetës dhe të drejtave të çdo qytetari”, thotë policia në reagimin e saj.

25-vjeçari Klodian Rasha u vra nga një punonjës i forcave “Shqiponja” rreth orës 01:45 të mëngjesit të së martës në rrugën “Dritan Hoxha” në Laprakë. Efektivi pretendoi se i riu kishte armë në dorë dhe e qëlloi duke e lënë të vdekur. Ndërkohë, punonjësi i policisë është arrestuar dhe akuzohet për tejkalim të kompetencave për përdorimin e armës./tvklan.al