Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur gjithë ngjarjet që u zhvilluan në banesën e Sh. Kurtit, ku mbeti i vrarë bashkëshorti i saj, Artur Kurti, pas përleshjes me kunatin e tij Leonard Ristani dhe djalin Jugen Kurti. Këtë të hënë (4 prill 2016) gjithçka ka nisur rreth orës 19:00. Çifti Sh. dhe Artur Kurti kishin probleme dhe prej katër muajsh kishin nisur letrat për procesin e ndarjes.

Pavarësisht kësaj, sipas deklarimeve që janë bërë në Prokurori nga Leonard Ristani dhe Jurgen Kurti, Artur Kurti vazhdimisht shkonte në shtëpinë e gruas, e cila banonte në një banesë tjetër me djalin, dhe e dhunonte atë. Kështu rreth orës 19:00, të ditës së hënë, Artur Kurti ka shkuar në shtëpinë e bashkëshortes, e cila nuk i kishte hapur derën e jashtme.

49-vjeçari kishte dëmtuar derën e jashtme, duke i rënë me shqelma, si dhe ka ofenduar bashkëshorten e tij. E ndodhur në këtë situatë, Sh. Kurti ka marrë në telefon vëllain e saj, Leonard Ristanin. Ai ka shkuar menjëherë tek banesa e motrës, tek rruga “Zef Jubani” në kryeqytet. Disa minuta më vonë Artur Kurti ka marrë tek telefoni i shtëpisë së bashkëshortes, ku është përgjigjur kunati.

Më pas Arturi, me një thikë prej 29 cm, ka shkuar për herë të dytë tek banesa e bashkëshortes. Ai ka trokitur dhe derën e ka hapur Leonardi. 49-vjeçari ka goditur kunatin e tij me thikë, i cili sipas prokurorisë, ka bërë përpjekje për tu mbrojtur, duke arritur t’ia marrë thikën nga dora dhe e ka goditur duke i shkaktuar vdekjen.

Kur ka shkuar policia në vendngjarje, rreth 1 metër para derës së hyrjes, në korridorin e përbashkët është gjetur i shtrirë me fytyrë nga dyshemeja, kufoma e 49-vjeçarit, ArturKurti. Në brendësi të banesës, mbi sipërfaqen e dyshemesë së saj, janë gjetur njolla gjaku, ndërsa ndërmjet sheshpushimit të katit të pestë dhe sheshpushimit të katit të gjashtë është gjetur thika me gjatësi 29 cm.

23-vjeçari Jurgen Kurti nuk është gjetur në banesën ku ndodhi ngjarja, menjëherë pas përleshjes ai ka marrë dajën (Leonard Ristanin) dhe e ka çuar në spital. Në dëshminë e tij, 23-vjeçari ka thënë se, babai është përleshur me dajën dhe kur ka tentuar për t’i ndarë ka parë babain të gjakur në gjoks. /

tvklan.al