Ngjarja në Durrës, ku 3 fëmijët bashkëpunuan për vrasjen e babait të tij ka tronditur mbarë vendin. Për të folur për këtë ngjarje, juristja Eni Çobani është shprehur në një bisedë me gazetarin Besard Jacaj në Klan News se nëse fëmijët bëjnë veprime të tilla, prindërit duhet të vënë gishtin tek vetja.

Eni Çobani: Nëse do të kemi të rinj kaq gjakftohtë është një dramë shoqërore. E kam thënë dhe do të vazhdoj ta them, është roli i prindërimit. Prindërit po harrojnë se kanë një rol të jashtëzakonshëm, rolin kyç në formimin e fëmijëve. Nëse fëmijët bëjnë veprimet të tilla, ne duhet ta kthejmë gishtin nga vetja. Këto janë të frymëzuara nga situata të caktuara familjare. Vënia e gishtit tek shkolla, tek qeveria, tek ministria, janë më të largëta se familja. Familja po pëson një regres të jashtëzakonshëm. Këto fenomene janë të pritshme sepse në një realitet agresiv të një familje të tillë, çfarë presin ne? Fëmijë që të respektojnë prindërit? Ata rriten me urrejtje dhe konflikt kundrejt njëri apo tjetrit. Gishti është nga vetja. Djemtë dhe vajzat i eduktojmë ne, shoqëria ka një ndikim të jashtëzakonshëm, por përsëri kur ai djali kthehet në shtëpi dhe mban erë të ndonjë substance, ajo nëna e përgjegjshme ngrihet në këmbë dhe vë alarmin dhe po nuk u bë kjo, do të shikojmë ngjarje, ndoshta dhe më të rënda se kjo e sotmja.

Justistja Çobani thotë se në karrierën e saj prej 28 vitesh në Shqipëri, vëren me shumë dhimbje se shoqëria shqiptare është bërë “më e vogël”, teksa ka shtuar se kjo ka ardhur pasi disa vese kanë përkeqësuar familjet.

Eni Çobani: Në këto 12 vite të një transmetimi publik që bëj, por njëkohësisht dhe të një jetë të gjatë në sistemin juridik prej 28 vitesh në Shqipëri, vërej me shumë dhimbje fakte, të cilat ne në fillesat tona të futjes në sistem nuk i kemi pasur. Kemi rënie të familjes, shoqërisë, komunikimit, jemi bërë akoma dhe më të vegjël, ndoshta edhe disa vese që kanë përkeqësuar shoqërinë shqiptare.

/tvklan.al