Skënder Vathi, që akuzohet nga Prokuroria si organizatori i vrasjes së Behar Sofisë ka kërkuar lirinë në Gjykatën e Apelit.

Klan News bën me dije se Vathi nuk e ka pranuar asnjëherë përfshirjen në krimin e rëndë që ndodhi në afërsi të qendrës së Tiranës dhe kërkon që t’i ndryshohet masa e sigurisë.

Ndërkohë mësohet se 3 të arrestuarit e tjerë, Ernejt Shyti, Leonard Xhixha dhe Xhulio Visha, që akuzohen si të përfshirë në këtë ngjarje nuk kanë dorëzuar ankimim në Gjykatën e Apelit.

Deri tani i vetmi që ka pranuar krimin dhe ka bashkëpunuar me hetuesit është Ernejt Shyti, i cili dyshohet që të jetë dhe ekzekutori i Sofisë.

Katër personat e akuzuar për vrasjen e Sofisë u arrestuan pak ditë më parë nga Policia e Tiranës. Vathi , Xhixha dhe Visha fshiheshin në Shqipëri, ndërsa Shyti ishte larguar drejt Malit të Zi, ku dhe punonte si punëtor sezonal.

Vrasja e Behar Sofisë ndodhi në 25 Shkurt, në afërsi të Piramidës. 66-vjeçari u ekzekutua pak pasi doli nga banesa e tij./tvklan.al