Atentati ndaj 66-vjeçarit, zgjerohet rrezja e kontrollit të kamerave të sigurisë

Dy ditë pas ngjarjes, policia dhe prokuroria ende nuk kanë rënë në gjurmët e autorit të dyshuar që ekzekutoi 66-vjeçarin Behar Sofia, megjithatë ata kanë shtrirë rrezen e kontrollit të kamerave të sigurisë për të rënë në gjurmët e atentatorit.

Deri më tani blutë kanë identifikuar një person, që monitoron lëvizjet e viktimës që nga momenti që del nga banesa dhe më pas konsumon një kafe në një prej lokaleve, afër vendit të vrasjes.

Hetuesit vërejnë që i dyshuari, i maskuar dhe veshur me të zeza e ndjek viktimën deri tek ura e Lanës përballë qendrës tregtare, ndërsa më pas është e paqartë nëse ai është ekzekutori, apo një tjetër person po e priste pranë piramidës.

Nga analizimi i pamjeve filmike, një tjetër person i ngjashëm shfaqet dhe tek ura e Lanës pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, i cili largohet me biçikletë nëpërmjet korsisë së dedikuar.

Në pamje të parë ai ngjason me personin që vëzhgoi viktimën kur ka dalë nga banesa dhe lokali, ndaj po analizohen dhe kamera të tjera sigurie për të kuptuar nëse kemi të bëjmë me të njëjtin person.

Gjithashtu ata kanë pikasur dhe një automjet që lëviz me shpejtësi, që besohet të jetë i bashkëpunëtorëve të autorit të vrasjes.

Kontrollet e kamerave të sigurisë janë zgjeruar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri përtej sheshit “Skënderbej”, Liqeni Artificial, rrugës së Elbasanit, madje dhe nga drejtimi tjetër, nga rruga e Elbasanit në drejtim të zonës së Brrylit.

Për shkak të numrit të madh të kamerave të bizneseve nuk është bërë akoma këqyrja totale e tyre. Për të ndihmuar hetuesit janë marrë në dispozicion dhe kamerat e institucioneve shtetërore, dhe kamerat e trafikut të Bashkisë së Tiranës.

Puna e hetuesve ka vijuar me grumbullimin e të dhënave duke marrë në pyetje persona të tjerë që mund të kenë dijeni, por deri në këto momente nuk bëhet e ditur të jenë përfituar të dhëna të vlefshme.

Ndërkohë grupi hetimor i përbërë nga prokuroria dhe policia beson që ditët në vijim pas këqyrjes së plotë të kamerave të sigurisë të jenë vendimtare për zbardhjen e kësaj ngjarjeje që tronditi kryeqytetin mëngjesin e të enjtes.

Klan News