Vrasja e Billës, 4 të arrestuarit mohojnë akuzat



Vrasja e Billës, 4 të arrestuarit mohojnë akuzat

16:02 01/07/2020

Gjekson Pusi: Isha në Shkodër kur ndodhi vrasja

Janë 4 persona të arrestuar për vrasjen e Hekuran Billës, por të gjithë kanë mohuar se kanë vrarë ose kanë ndihmuar në ekzekutimin e 40-vjeçarit, mbrëmjen e 11 Qershorit te Komuna e Parisit në Tiranë.

Në dëshminë që ka dhënë para policisë, edhe 33-vjeçari Gjekson Pusi ka mohuar se ka lidhje me vrasjen e Billës. Hetuesit thonë se Gjekson Pusi dyshohet se ka luajtur rolin e shoferit të makinës që u përdor në atentatin ndaj 40-vjeçarit.

Por Gjekson Pusi thotë se ishte me masë sigurisë “arrest shtëpie” dhe më 11 Qershor ka qenë në Shkodër dhe jo në Tiranë. Gjekson Pusi e ka shok Viktor Markun prej kohësh, por mohon se ka informacione për vrasjen apo që ai të jetë i përfshirë.

Më herët edhe Viktor Marku, që akuzohet si ekzekutor, ka thënë se nuk e vrau ai Hekuran Billën. Ndërsa Sebastian Mali, ashtu si daja i tij, u shpreh se ai ndodhej në vendin e ngjarjes pasi do takonte një vajzë.

Ndërkohë, dëshmia e vlefshme që kanë sot në dorë hetuesit, është ajo e Adiola Lakrës, e cila ka dhënë informacione se ish i dashuri i saj Sebastian Mali ka kontrolluar rrjetet sociale të Hekuran Billës, nëpërmjet telefonit.

Prokuroria dyshon se Viktor Marku dhe Sebastian Mali, përdorën Adiola Lakrën për t’ju afruar dhe më pas ekzekutuar Hekuran Billën.

Akuza ndaj tyre është ajo e gjakmarrjes, pasi dyshojnë se ekzekutimi u bë për shkak se Hekuran Billa kishte vrarë Prel Markun në vitin 2006 në Angli, vëllain e Viktor Markut dhe dajën e Sebastian Malit.

Tv Klan




Të ngjashme