Vrasja e Boriçit, dyshime për përplasje mes bandave


Vrasja e Boriçit, dyshime për përplasje mes bandave

17:39 10/08/2020

27-vjeçari u qëllua me dy plumba në kokë mëngjesin e së dielës

Një ditë pas ekzekutimit të 27-vjeçarit Gjin Boriçi në Shkodër, policia nuk ka ende asnjë autor të dyshuar për krimin e rëndë.

Prishja e pazareve të drogës dhe larja e hesapeve, pasi viktima dyshohet se ka qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale në qytetin e Shkodrës, janë dy pistat kryesore që grupi hetimor është fokusuar për zbardhjen e kësaj ngjarje.

Për zbardhjen e këtij atentati mëngjesin e sotëm drejt Shkodrës, kanë zbarkuar edhe specialistë të Krimeve të Rënda të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

27-vjeçari ka pasur edhe probleme me gjakmarrjen, por grupi hetimor e përjashton këtë si mundësi për shkak të dinamikës së atentatit. Kjo sepse pas atentatit, 1 km larg vendit ku u qëllua për vdekje i riu është gjetur e djegur një makinë, e cila dyshohet se u përket autorëve, një skemë kjo e përdorur edhe në vrasjet e tjera për të humbur gjurmët.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se janë sekuestruar një numër i madh i kamerave të sigurisë në rrugën nacionale Shkodër-Tiranë, në zonën e Bushatit, ku dyshohet se janë drejtuar autorët pas vrasjes, në zonën e Velipojës, në Lezhë dhe vende të tjera, ku ka dyshime se mund të kenë lëvizur.

Viktima njihej në Shkodër edhe me emrat, Gjin Ndoj dhe Gjin Frroku. Sipas hetuesve, 27-vjeçari është qëlluar me dy plumba në kokë dhe një në shpatull, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Viktima njihej edhe si mik i afërt i “Bajrave”.

Gjin Boriçi u gjet i vrarë rreth orës 05:55 të mëngjesit të djeshëm në fshatin Shkjezë. Trupi i tij i pajetë u gjet pak metra larg automjetit tip “BMW”. Në vendin e ngjarjes policia sekuestroi edhe 3 gëzhoja kallashnikovi.

Tv Klan




Të ngjashme