Policia angleze po e heton vrasjen e deputetit konservator Sir David Amess si një incident terrorist. Hetuesit kanë thënë se ekziston një lidhje e mundshme me ekstremizmin islamik, raporton BBC.

Deputeti 69-vjeçar u godit me thikë gjatë një takimi elektoral që po mbante me qytetarët në Essex të premten.

Autori, një djalë 25 vjeç, është arrestuar nga policia dhe mbahet në paraburgim. Autoritetet britanike besojnë se 25-vjeçari ka vepruar i vetëm, megjithatë hetimet për rrethanat e ngjarjes po vijojnë.

Burime të qeverisë britanike kanë thënë për BBC se 25-vjeçari është shtetas anglez, por me origjinë somaleze.

Shefi i policisë në Essex u shpreh se deputeti konservator Sir David Amess po dëgjonte shqetësimet e qytetarëve që ai përfaqësonte kur u godit me thikë nga 25-vjeçari. Deputeti u dërgua në spital në gjendje të rëndë, por ndërroi jetë pas disa orësh. /tvklan.al