Pas disa muajsh qëndrimi në qeli, Gjykata e Tiranës vendosi sot që ta lërë të lirë Mario Meshinin, duke i caktuar një masë sigurimi personal lehtësuese atë të detyrimit të paraqitjes. Meshini u akuza nga Prokuroria për “moskallëzim krimi”, pasi ishte personi që e nxori nga shtëpia Devi Kasmin mbrëmjen e 29 Janarit të 2018-ës, aty ku i ishte përgatitur edhe atentati ndaj tij. Emri i të riut u zbulua nga mesazhet dhe tabulatet telefonike që gjendeshin në celularit e 41-vjeçarit.

Gjithashtu duke iu referuar provave të prokurorisë, rezulton se ai ka qenë prezent në momentin e ngjarjes, pasi është filmuar nga kamerat e sigurisë. Vetë Meshini thotë se nuk ka parë asgjë mbrëmjen e 29 Janarit. Mario Meshini u arrestua më 30 Janar të vitit 2018, në një lokal disa orë pas vrasjes së Devi Kasmit, i cili u qëllua disa herë me pistoletë në kokë dhe trup, ndërsa policia dyshon se porositës i vrasjes së tij është Domart Konjari, i cili kërkohet nga autoritetet shqiptare, por edhe ato franceze.

Dyshime të forta ka se vrasja ndodhi për prishje të pazareve të kokainës në Francë dhe Spanjë. Gjatë kontrollit të banesës së Kasmit u gjet 3 kilogramë kokainë, 300 gramë drogë LSD dhe një armë automatike.

/ABC News Albania 24/7