Partia Demokratike ka reaguar këtë të premte për vrasjen e Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj, në Malësinë e Madhe, krim pas të cilit dyshohet se qëndron kushëriri i tyre Danjel Pepaj dhe që erdhi si pasojë e konfliktit për kanabisin. Ish-Deputeti Enkelejd Alibeaj thotë se makabriteti i kësaj ngjarje dhe shumë të tjerave si ajo, ka qenë dhe është oferta e vetme e Edi Ramës në 7 vite qeverisje të zhytur në krim, trafik dhe vrasje.

“Të papunë, të pashpresë, të hedhur në rrugë prej shtetit, rinia shqiptare i serviret pa mëshirë grykësisë së krimit, rrugës së vrasjeve dhe trafikut të drogës. Kjo është e vetmja platformë qeverisjeje e një kryeministri që erdhi me krimin e që krimin ua servir shqiptarëve tash e 7 vjet. Viktima e kësaj alternative të Edi Ramës është, në radhë të parë, rinia shqiptare: ose duke u masakruar në këtë vend ose duke u larguar prej këtij vendi! Kufoma të panumërta, deti ka nxjerrë në Vlorë; Vrasje me plumb pas koke, kanë ndodhur në parcelat e hashashit; Dhjetra të rinj, numërohen si prè e krimit, të zhdukur pa nam e nishan, pasojë kjo e luftës gjakatare mes bandave të krimit që kjo qeveri inkurajoi e forcoi!”

Për Partinë Demokratike, “ndaj kësaj situate, qëndron nënqeshja makabre e Edi Ramës, teksa këtë shërbesë të hidhur krimi dhe vdekje, servirur shqiptarëve, e kalon pa ndjesinë më të vogël të brejtjes së ndërgjegjes teksa uron “hëngshin kokat e njëri-tjetrit”!!”

25 Prilli është dita që Edi Rama dhe qeverisja kriminale e tij të lajë njëherë e mirë borxhin dhe hakun e dhimbjes qe u ka shkaktuar shqiptarëve dhe familjeve të tyre!”, shprehet më tej Alibeaj./tvklan.al