Drejtori i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Tonin Vocaj, ka treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes në Malësi të Madhe ku mbetën të vdekur Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj për shkak të një sasie droge.

Vocaj konfirmoi se ngjarja ka ndodhur për shkak të kanabisit. Viktimat kanë pretenduar se janë vjedhur nga autori  i dyshuar i vrasjes, Danjel Pepaj i cili është shpallur në kërkim. Vocaj ka treguar se Danjel Pepaj nuk e ka pranuar këtë akuzë nga dy kushërinjtë e tij. Megjithatë çdo gjë është zbuluar më vonë, pasi ai sëbashku me babain e tij, Rrok Pepaj, gjithashtu i arrestuar kanë ndërtuar sëbashku një miniparcelë kanabisi.

Nga kjo parcelë, Danjel Pepaj ka pretenduar t’u jepte viktimave sasinë e kanabisit, por në fund i vrau.

“Është e vërtetë që ngjarja ka ndodhur për kanabis. Viktimat kanë pretenduar se ua ka vjedhur autori i vrasjes. A është i vërtetë fakti që viktimat e kanë shtrënguar autorin për ta vënë para përgjegjësisë morale për sasinë e kanabisit të vjedhur? Meqenëse autori i veprës penale siç ka dalë nga hetimet në bashkëpunim me babain e tij kishte kultivuar një miniparcelë u ka thënë viktimave që unë do ua kthej këtë sasi që ju pretendoni se ua kam marrë unë, megjithëse ai faktikisht nga deklarimet që bën vëllai i viktimës nuk ka pranuar që ua ka marrë. Në këto kushte në shoqërinë e vëllait të viktimës kanë shkuar në fshatin Vrith, i cili ka njoftuar edhe policinë. Është i vërtetë fakti që njoftimi i parë është bërë në orën 1:00 të natës. Ai ka çuar policinë në vendin ku i ka zbritur nga makina ata dhe autori bashkë me dy viktimat janë futur në krahun e majtë të rrugës për të shkuar tek miniparcela”, tha Vocaj.

Drejtori i Policisë Kriminale u shpreh se trupat e viktimave u gjetën pas disa ditësh pasi terreni ishte i vështirë, ndërkohë që edhe koha nuk ka qenë në favor të kërkimit të tyre nëpërmjet dronëve.  

“Çështja është këtu. Nuk e di se si e dini si është terreni, por është jashtëzakonisht i vështirë. Kemi përdorur dron gjithë ditën. Duhet të dini që ditët kanë qenë veçanërisht të vështira me shi dhe me mjegull. Në ditën e 4 është rimarrë në pyetje babai i autorit. Mund të ketë pasur dyshime, por ai nuk e ka ditur që djali i tij është përfshirë në këtë vrasje. Ai nuk kishte komunikim me të birin të paktën me faktet që ne kemi dhe as e ka nxitur djalin e vet. Bashkë me grupin e policisë kanë shkuar në vend dhe kanë gjetur viktimat. Prandaj është arrestuar sepse është kontributor, njësoj si djali në kultivimin e kësaj miniparcele të kanabisit. Ai është arrestuar për kultivim të lëndëve narkotike. Nuk është arrestuar si bashkëautor për vrasje”, tha Vocaj.

Vocaj tha se pas kontrolleve të policisë në zonë janë gjetur vetëm 29 rrënjë dhe jo parcela të korrura me kanabis.

“Duhet të themi disa të vërteta se edhe banorët e zonës atje na dëgjojnë. Nuk është e vërtet fakti që deklarohet se kur ka shkuar policia ka gjetur kanabis të korrur. Janë gjetur vetëm 29 rrënjë. Zona e Vrithit, e Razëms, zona e Katundit të Kastratit dhe zonat përreth veçanërisht vitet e fundit nuk kanë qenë zona me risk të lartë të kultivimit të kanabisit”, tha Vocaj./tvklan.al