Vrasja e dy vëllezërve në Durrës, Klan News zbardh dosjen




Vrasja e dy vëllezërve në Durrës, Klan News zbardh dosjen

21:17 18/06/2021

Besian Xhixha dhe Enver Diva akuzohen si bashkëpunëtorë në vrasje

Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore në ngarkim të Talo Çelës, Nuredin Dumanit, Besian Xhixhës, Enver Divës, Altin Ndocit dhe Klevis Allës. Ata akuzohen për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në 27 Prill të 2020. Në dosjen e SPAK është e zbardhur dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë Klevis Alla. I riu tregon se nga fundi i Marsit ose fillimi i Prillit ka marrë në telefon Nuredin Dumanin dhe i ka kërkuar që të shkojë tek shtëpia e tij.

Alla tregon se kur ka arritur aty Dumani i ka kërkuar që të merrte dy persona emrat e të cilëve nuk i dinte dhe t’u bënte një xhiro nga shtëpia e Besmirit, por që nuk duhet që të fliste me ata të dy, sepse ata do të bënin punën e tyre.  23-vjeçari rrëfen se i ka marrë në makinë, i ka dërguar pranë banesës së Besmir Haxhisë dhe u ka treguar edhe makinën e tij. Ai thekson faktin që dy personat kanë studiuar me kujdes terrenin dhe kanë deklaruar se vrasja mund të bëhet, por i vetmi problem ishte se ata nuk kishin shofer që t’i largonte nga vendi i ngjarjes.

“Pasi u larguam kam mësuar se njëri prej tyre quhej Besian Xhixha. Disa ditë më vonë Nuredini më ka marrë në telefon dhe më ka kërkuar që të bëj testin anti-covid, pasi i tregoi se Veri (Enver Diva) ishte konfirmuar pozitiv me Covid”. Në dosje thuhet se duke qenë se plani i parë dështoi, Talo Çela me Nuredin Dumanin dhe Altin Ndocin kanë vënë në zbatim planin e dytë për ta ekzekutuar vetë Besmir Haxhinë të cilin e ka nxjerrë në pritë Alla. Gjatë vrasjes së dy vëllezërve janë zbrazur 55 plumba në drejtim të tyre.

Bashkëpunëtori i drejtësisë ka treguar se ai s’ka dashur të marrë pjesë por atë e kanë marrë me forcë. Madje në disa raste ata i kanë marrë me dhunë edhe makinën e tij për ta përdorur për qëllimet e tyre. Që të vërtetonin thëniet e Klevis Allës, hetuesit e SPAK i kanë vënë atij përballë disa foto të personave të ndryshëm të skeduar për ngjarje të ndryshme kriminale dhe 23 vjeçari i ka identifikuar me ekzaktësi. Gjithashtu ISHP në Qershor të 2020 i ka kthyer përgjigje SPAK ku i ka konfirmuar se Enver Diva ishte konfirmuar me Covid në 19 Prill të 2020, duke u përputhur me thëniet e Allës. 

Në dosjen e SPAK thuhet se Besian Xhixha është thirrur për të dhënë deklarime më herët por ai ka mohuar që të jetë i përfshirë në këtë ngjarje. Po ashtu hetuesit thonë se gjatë një tentative për të arrestuar Enver Divën disa kohë më parë për një ngjarje tjetër kriminale ku ai dyshohet që të jetë i përfshirë ka kundërshtuar RENEA-n duke hapur zjarr dhe ka mbetur edhe vetë i plagosur.

Grupi i kryesuar nga Talo Çela dhe Nuredin Dumani dyshohen edhe për vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë në Mars të 2020 në Shën Vlash të Durrësit. Si mollë sherri mes të dyshuarve janë bërë 4.6 milionë eurot e grabitura në 9 Prill të 2019 në aeroportin e Rinasit.

Klan News





Të ngjashme