Tre ditë pas vrasjes së Elton Javorit në Fier, policia ka mundur të gjejë automjetin e autorit të dyshuar të krimit. Bëhet fjalë për makinën tip Benz me të cilën udhëtonin vëllezërit Agim Gashi dhe Kreshnik Gashi, që shkëmbyen zjarr drejt makinës së Elton Javorit duke e lënë të vdekur këtë të fundit.

Automjeti është gjetur në garazhin e mbyllur të banesës së 70-vjeçarit Rexhep Puka, në Dërmënas të Fierit. Mësohet se Rexhep Puka është burri i tezes së autorëve të dyshuar.

Ndaj 70-vjeçari Rexhep Puka ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për veprat penale përkrahja e autorit të krimit, prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive.

Në makinën e të dyshuarit u gjet një gëzhojë arme, ndërsa në banesën e 70-vjeçarit u sekuestrua një fishek arme.

Gjithashtu, në të njëjtin garazh policia sekuestroi një makinë tjetër tip Benz i blinduar, në bagazhin e të cilës ndodhej një targë e vjedhur nga një makinë tjetër.

Në një tjetër banesë në zonë që ruhej nga 70-vjeçarit, uniformat blu gjetën 3 celularë të fikur, 4 jelekë antiplumb si të policisë, 1  armë gjahu teke, 1 armë shotgan, 2 krehra pistolete bosh dhe 1 sëpatë me bisht druri, të dyshuara se mund të jenë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

Ndërkohë, autorët e dyshuar të vrasjes, vëllezërit Gashi, janë të shpallur në kërkim nga policia.


SI NDODHI VRASJA MË 7 DHJETOR 2023

Dy vëllezërit Agim dhe Kreshnik Gashi udhëtonin me një makinë Benz, ndërsa viktima me një fuoristradë tip Porsche. Automjeti i autorëve i doli paralel makinës së viktimës, ulën xhamin nga krahu i pasagjerit dhe qëlluan me armë drejt 41-vjeçarit Elton Javori.

Në bazë të provave të gjetura në vendngjarje, policia thotë se edhe viktima ka shkëmbyer zjarr me autorët, pasi iu gjet një pistoletë.

Pas të shtënave, makina e të dyshuarve u largua. Edhe i ndjeri Javori ka mundur të drejtojë makinën për disa metra i plagosur, më pas ka ndaluar në anë të rrugës ku u gjet i vdekur.

Vrasja ndodhi në lagjen “16 Prilli” të Fierit.


PAMJET E VRASJES, VIDEO NGA KAMERAT E SIGURISË


Foto më poshtë: Agim Gashi, autori i dyshuar i vrasjes


SHKAQET E DYSHUARA TË VRASJES

Elton Javori dhe Agim Gashi kanë qenë miq me njëri-tjetrin. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një konflikti mes tyre të nisur kohë më parë. Zanafilla dyshohet të jetë një zënkë mes autorit dhe viktimës rreth 10 ditë më parë në një lokal të Fierit. Javori dhe Gashi mësohet se fillimisht kishin debatuar verbalisht e më pas viktima e kishte goditur me grusht Gashin.


KUSH ISHTE VIKTIMA

Elton Javori është nipi i Demir Backës. Ky i fundit u vra në një atentat më 23 Tetor 2021 pranë një qendre tregtare në Fier. Backa është vëllai i një ish-anëtari të bandës së Fierit i vrarë në 1997, Medi Backa. Ky i fundit u vra në masakrën e Levanit bashkë me 23 persona të tjerë.


/tvklan.al