Gjykata e Shkodrës vendosi arrest e burg për 15-vjeçarin Ergys Malja, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e Endri Mustafës, i cili u gjet i vrarë mëngjesin e së hënës në zonën e Livadheve.

Avokati i 15-vjeçarit kërkoi një masë më të lehtë për klientin e tij për shkak të moshës së vogël, por kjo kërkesë nuk u pranua nga trupa gjykuese. Vetë 15-vjeçari, sipas gazetares Emi Kalaja, nuk ka thënë asnjë fjalë në sallë të gjyqit.

“I mituri duhet thënë që ka kyçur gojën ditën e sotme, nuk ka thënë asnjë fjalë lidhur me procesin. Nuk ka pranuar të flasë, ndërkohë që avokati mbrojtës ka kërkuar një masë lehtësuese. Ai ka thënë që i mituri nuk kishte dijeni, e ka nxjerrë nga shtëpia për arsye të veta Endri Mustafën dhe nuk kishte dijeni se mund t’i bëhej pritë. Pra ka kërkuar një masë lehtësuese duke marrë në konsideratë moshën e tij të vogël 15-vjeçare dhe duke thënë se nuk kishte dijeni për ngjarjen e rëndë që 32-vjeçarit do t’i ndodhte”, tha gazetarja.

Gazetarja e konsideroi të dyshimtë faktin që në gjykatë 15-vjeçari nuk pranoi të fliste, ndërsa në deklaratën e parë të dhënë për policinë, ai dha detaje për ngjarjen.

“Në një deklaratë të dhënë në polici, thuhet se 15-vjeçari është dëshmitari kyç i ngjarjes, që ka nxjerrë Endri Mustafën nga shtëpia duke i thënë se në një vend kishte mbjellë drogë dhe i ka kërkuar që ta ndihmonte dhe aty përpara i ka dalë Ibrahim Lici, në zonën e Livadheve, dhe ka qëlluar Mustafën duke e ekzekutuar. Megjithatë ajo çka mbetet e dyshimtë, jo vetëm përgënjeshtrimi që ka bërë në mënyrë totale familje Lici, por edhe fakti sesi Ibrahim Lici, një person me precedentë penalë mund të lejonte që të kishte një dëshmitar, nëse është realisht ashtu, gjatë këtij ekzekutimi dhe më pas të largohet. Ndaj mbetet i dyshimtë deklarimi që ka bërë në momentin e parë  dhe fakti që në gjykatë nuk ka pranuar të japë më asnjë deklaratë, pavarësisht insistimit të gjykatës, prokurorit, sepse mbetet i vetmi dëshmitar okular… edhe vetë familjarët e viktimës kanë kërkuar që të merret hollësisht në pyetje”, tha Kalaja.

Më herët, edhe për të arrestuarin tjetër, 26-vjeçarin Edison Arrazi, gjykata dha të njëjtën masë, ndonëse jo për vrasjen e Mustafës. Arrazi u arrestua si person që kishte dijeni për ngjarjen, por në fakt masa për të u dha për kanabisin që iu gjet gjatë kontrollit në shtëpi.

Sa i përket vrasjes së 32-vjeçarit Endri Mustafa, policia ka shpallur në kërkim si autor të dyshuar të ngjarjes Ibrahim Licin./tvklan.al