Ky është Albert Zaja 37 vjeç, njëri nga personat më të kërkuar gjatëve javëve të fundit, i cili u arrestua pasditen e 21 Marsit në fshatin Larushkë të Fushë-Krujës.

Albert Zaja ishte shpallur në kërkim për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim ndaj Shkëlzen Kastratit më 1 Shkurt në Fier.

Këto janë pamjet e operacionit për arrestimin e tij. Në aksion të koduar “Nikla” morën pjesë forcat speciale RENEA, duke zbarkuar në fshatin Larushkë pasi shërbimet operative të policisë ishin informuar se njëri nga vrasësit e dyshuar të Shkëlzen Kastratit strehohej pikërisht në këtë zonë.

Pas marrjes dhe verifikimit të informacionit, forca të shumta policore u nisën drejt Larushkës. Ndërhyrja në fshatin Larushkë u bë nga RENEA, kjo për shkak edhe të rrezikshmërisë së këtij personi që konsiderohej si i tillë në informacionet policore.

Albert Zaja strehohej në këtë shtëpi. Gjatë ndërhyrjes së policisë për kapjen e tij, 37-vjeçari ishte i armatosur. Sapo pa forcat speciale, ai tentoi të fshehte një pistoletë tip Glock, duke e mbuluar me baltë. Në momentin e arrestimit ai nuk bëri rezistencë, ndërsa arma iu gjet dhe sekuestrua nga efektivët e policisë.

Albert Zaja është me masë sigurie arrest në burg në mungesë për vrasje me paramendim të dhënë nga Gjykata e Fierit. Ai akuzohet si njëri ndër 4 personat që kanë marrë pjesë në vrasjen e Shkëlzen Kastratit më 1 Shkurt në qytetin e Fierit. 3 të akuzuarit e tjerë zyrtarisht për këtë ngjarje janë Elmir Tufa, Elson Xheçuka dhe Roland Cara. Vrasësit e Kastratit udhëtonin me një fuoristradë Range Rover. Ata hapën breshëri me një kallashnikov me silenciator ndaj Kastratit që udhëtonte me një makinë Mercedes.

Pas vrasjes autorët u larguan me shpejtësi drejt Mbrostarit, duke dalë në unazën Fier-Vlorë dhe në mbikalimin e Baltëz dogjën automjetin. Prej andej u larguan me një makinë tjetër.

Emisioni Uniko ka mësuar nga burime brenda grupit hetimor se në këtë atentat morën pjesë edhe dy makina të tjera, që kanë ndihmuar autorët për t’u larguar pas vrasjes. Njëra nga këto makina është tip Audi, që dyshohet se i përket pikërisht Albert Zajës, 37-vjeçarit të arrestuar në Larushkë të Fushë-Krujës. Pas arrestimit, ai u dërgua fillimisht në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, dhe më pas drejt Komisariatit të Fierit.

Ndërsa tre personat e tjerë të akuzuar si të përfshirë në krim, janë në kërkim. Njëri prej tyre, Elmir Tufa, në intervistën që dha nga arratia për emisionin Uniko 3 javë më parë, mohoi implikimin e tij, duke thënë se ka prova që ditën e vrasjes ndodhej në Krujë dhe jo në Fier. /tvklan.al